Kancelari Federal i Gjermanisë, Olaf Scholz deklaroi sot se, nesër do të nënshkruhet në Tiranë një marrëveshje për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Berlin me Kryeministrin Edi Rama, Scholz tha se, “marrëdhëniet tona bilaterale me Shqipërinë janë të shkëlqyera. Që prej 35 vjetësh qeveria Federale bashkëpunon ngushtë me Shqipërinë për marrëdhënie të ngushta ekonomike dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për politikën e klimës dhe të ambientit”.
“Unë gëzohem që në marrëdhëniet bilaterale kemi përpara nesh një përmirësim shumë të ndjeshëm për qytetarët tanë. Nesër do të nënshkruhet në Tiranë një marrëveshje për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit, të patentave. Kjo ka rëndësi shumë të madhe dhe sa i përket perspektivave të profesioneve të shqiptarëve”, theksoi Scholz.
Kancelari gjerman nënvizoi se, “Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara në demokraci, në sundimin e ligjit, në të drejtat e njeriut. Ka krijuar struktura edhe për të vepruar në mënyrë të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
“Sundimi i ligjit funksionues është një bërthamë për funksionimin e BE, prandaj dëshiroj t’ju inkurajoj që këto hapa të rëndësishme reformatore t’i zbatoni në mënyrë konsekuente dhe në mënyrë rrënjësore”, tha Scholz.
“Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor përfitojnë nga bashkëpunimi më i mirë rajonal. Ai përforcon ekonominë, përmirëson marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përshpejton afrimin me BE-në”, theksoi Scholz.
“Procesi i Berlinit që prej vitit 2014 ka treguar se çfarë potenciali ndodhet në bashkëpunimin gjithëpërfshirës të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë dëshiroj prandaj ta rigjallëroj Procesin e Berlinit. Të rëndësishëm tani janë përparime në ngritjen e një tregu të përbashkët rajonal. Krijimi dhe garantimi i 4 lirive bazë, qarkullimi i lirë i personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, ka rëndësi për të gjithë rajonin”, u shpreh Scholz.
“Unë angazhohem personalisht me qeverinë time, Republika Federale e Gjermanisë do të mbetet një partner i ngushtë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën për në BE”, tha Scholz./ATSH
Hasani ndan një video me letrat e fëmijëve të diasporës për ...
Vrau 14 vjeçarin, Martin Cani “arrest në burg” për Mario Për...
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
FSK testoi kapacitetet e komunikimit C4I
Si shkak i erërave të forta vazhdojnë problemet me energji
Driloni befason Drenushën me deklaratë: 15 vjet diferencë në...