Kancelari austriak, Karl Nehammer, tha se ka mbajtur bisedime “të drejtpërdrejta, të hapura dhe të vështira” me presidentin rus, Vladimir Putin, për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
Nehammer udhëtoi të hënën në Moskë, duke u bërë udhëheqësi i parë i një vendi të Bashkimit Evropian që takon Putinin, qëkur ky i fundit ka dhënë urdhrin për pushtimin e fqinjit rus, më 24 shkurt.
Në një deklaratë nga zyra e Nehammerit thuhet se takimi, i cili zgjati pak më shumë se një orë, nuk ishte “një vizitë miqësie”.
“Unë përmenda krimet e rënda të luftës në Buça [të Ukrainës] dhe vende të tjera dhe theksova se të gjithë ata që janë përgjegjës, duhet të sillen para drejtësisë”, tha Nehammer në deklaratë.
Pavarësisht provave në rritje për të kundërtën, Rusia e mohon se sulmon civilët në luftën e saj në Ukrainë.
Kancelari austriak, Karl Nehammer, gjatë takimit në Kiev me presidnetin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, 9 prill, 2022.
Kancelari austriak po ashtu tha se ka porositur Putinin se sanksionet kundër Rusisë do të mbeten dhe do të intensifikohen “për aq kohë sa njerëzit vazhdojnë të vdesin në Ukrainë”.
“Tani do t’i informoj partnerët tanë evropianë për bisedën dhe do të diskutoj hapat e mëtejshëm”, tha Nehammer.
Austria ka mbajtur historikisht lidhje më të ngushta me Rusinë, në krahasim me pjesën më të madhe të BE-së.
Megjithatë, ajo ka shprehur solidaritetin e saj me Ukrainën kur Rusia ka nisur pushtimin e saj.
Nga Kremlini nuk ka ende asnjë deklaratë për takimin e Putinit me kancelarin austriak.
Takimi është zhvilluar në kohën kur lufta në Ukrainë është zhvendosur në lindje të këtij vendi.
Zyrtarët rusë kanë thënë se fokus i forcave të tyre do të jetë “çlirimi i plotë” i Donbasit, duke iu referuar kështu rajoneve lindore të Ukrainës, Luhansk dhe Donjeck.
Këshilltari i Presidencës së Ukrainës, Mykhaylo Podolyak, i tha televizionit kombëtar se “Ukraina është gati për beteja të mëdha” kundër Rusisë.
Ai tha se Ukraina duhet të mposhtë Rusinë në Donbas – ku Moska kontrollon tashmë dy territore separatiste – përpara se të zhvillohet një takim midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ukraina është gati për beteja të mëdha. Ukraina duhet t’i fitojë ato, përfshirë Donbasin. Dhe, sapo të ndodhë kjo, Ukraina do të ketë një pozicion më të fuqishëm negociues”, tha Podolyak.
“Pas kësaj, presidentët do të takohen. Mund të duhen dy javë, tri”, shtoi ai.
Mijëra njerëz janë vrarë tashmë nga lufta në Ukrainë, ndërsa mbi 11 milionë janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre.
Perëndimi ka vendosur sanksione të papara ekonomike kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar ushtarakisht.
“Na duhen edhe më shumë sanksione. Na duhen edhe më shumë armë për shtetin tonë”, tha Zelensky në një video-adresim, të publikuar në mediat sociale.
Ai po ashtu porositi qytetarët që të përgatiten për “operacione edhe më të mëdha” të Rusisë në lindje të Ukrainës.
“Ata mund të përdorin edhe më shumë raketa kundër nesh, edhe më shumë bomba ajrore. Por, ne po përgatitemi për veprimet e tyre. Ne do të përgjigjemi”, tha Zelensky.
Ai i hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se vdekjet e civilëve në Ukrainë janë rezultat i sulmeve ushtarake të vetë Ukrainës.
“Për vrasjet në Buça thonë se nuk janë përgjegjës, por gjoja jemi ne. A e dini pse ndodh kështu? Sepse ata janë frikacakë”, tha Zelensky.
Javën e kaluar në Buça – qytezë në afërsi të Kievit – dhjetëra civilë janë gjetur në varreza masive, apo të vrarë në rrugë, me duar të lidhura, pasi trupat ruse janë tërhequr nga rajoni.
Zelensky ka thënë se vrasjet në Buça duhet të njihen si gjenocid. Perëndimi i ka dënuar fuqishëm ato, ndërsa Rusia i ka mohuar, duke thënë se pretendimet e Ukrainës duhet të shihen “me dyshime”./REL/
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...