BE-ja shqyrton mundësinë e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë

21:03 | 11 Prill 2022
KRG

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po takohen në Luksemburg të hënën për të analizuar efektivitetin e përgjigjes ndaj agresionit rus në Ukrainë. Ministrat mbajtën gjithashtu bisedime me Prokurorin e Përgjithshëm të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan ndërsa shtohen thirrjet për vënien para përgjegjësisë së Moskës për krime lufte.

Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha para takimit se ka të dhëna masive për krime lufte në Ukrainë.

“Në fund, janë gjykatat që duhet të vendosin, por për ne, është thelbësore të sigurojmë të gjitha provat”, tha ajo.

Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky ishte edhe më i drejtpërdrejtë.

“Putin është autori i këtyre krimeve të tmerrshme të luftës dhe mizorive dhe duhet të ndëshkohet”, tha ai.

Zonja Baerbock tha se pamjet e tmerrshme nga Ukraina tregojnë se vendi ka nevojë për mbështetje të mëtejshme ushtarake.

“Veçanërisht armë të rënda. Dhe tani nuk është koha për justifikime por për zgjidhje krijuese dhe pragmatike”, tha ajo.

Ministrat thanë se ekzekutivi po harton propozime për një embargo nafte ndaj Rusisë.

Ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney tha se Komisioni Evropian po punon që nafta të jetë pjesë e paketës së ardhshme të sanksioneve ndaj Rusisë, megjithëse nuk ka ende një marrëveshje për të ndaluar naftën e papërpunuar ruse.

“Bashkimi Evropian po shpenzon qindra milionë euro për importimin e naftës nga Rusia, kjo sigurisht që po kontribuon në financimin e kësaj lufte. Ne duhet ta ndërpresim atë financim. sa më shpejt aq më mirë,” tha ai.

Pas shumë debatesh, blloku ra dakord javën e kaluar për kufizimin gradual të importeve të qymyrit për shkak të agresionit të Moskës kundër Ukrainës.

Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e një raundi të ri sanksionesh.

“Ne po fillojmë të punojmë me një paketë të gjashtë, që përfshin masa për naftën. Kjo do të thotë se ka filluar tashmë puna për të krijuar një konsensus dhe shpresoj që këtë herë të funksionojë,” tha zoti Landsbergis.

Ndërkohë kancelari austriak Karl Nehammer takohet sot në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin.

Kryediplomati austriak tha në Luksemburg, se kancelari po shkonte në Moskë me mesazhe të qarta politike dhe humanitare.

“Kemi bërë gjithçka që të mos abuzohet me takimin. Dhe mendoj se duhet të jetë në interesin e tij (Putinit) që dikush t’i tregojë të vërtetën për atë që po ndodh. Mendoj se është e nevojshme. Ne duhet ta bëjmë këtë përpjekje nëse kjo shpëton jetë, nëse duam t’i japim fund këtij ferri humanitar në Ukrainë”.

Vizita e Kancelarit Nehammer në Moskë vjen pasi ai u takua të shtunën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në Kiev./VOA/

Të ngjashme