BIA serbe mohon planin e vrasjes së Dick Martyt

11:56 | 11 Prill 2022
arbresh.info

Agjencia serbe e Informacionit të Sigurisë (BIA) i dërgoi sot një letër Shërbimit Informativ Federal të Zvicrës (FIS), në të cilën dënon dhe mohon ashpër, siç thuhet në një deklaratë të dërguar për Tanjug “pretendimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së dikujt”.

Bëhet e ditur se BIA ka reaguar ndaj, siç i kanë cilësuar, gjoja kërcënimeve me vdekje ndaj ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili ishte angazhuar në hetimin e krimeve të supozuara lufte të UÇK-së.

Kujtojmë se ish-Raportuesi për Këshillin e Evropës, Marty, ditë më parë ka deklaruar se jeta e tij po kërcënohet nga qarqe të caktuara të shërbimeve sekrete serbe.

“Në këto kohë të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në kryerjen e detyrave të tyre të punës ekskluzivisht në përputhje me ligjin. Përkundër të gjitha presioneve dhe përpjekjeve për të destabilizuar, BIA do të vazhdojë të punojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Serbisë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në një deklaratë të BIA-s, shkruan Tanjug.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme