Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara t’i ofrojnë Ukrainës “armët që i duhen” për t’u mbrojtur nga Rusia, tha të dielën këshilltari i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, ndërsa Ukraina kërkon më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi.
Zoti Sullivan tha se administrata e presidentit Biden do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë për të frenuar përparimin e Rusisë dhe sulmet e saj ndaj civilëve, që Uashingtoni i ka etiketuar si krime lufte.
“Do t’i japim Ukrainës armët që i duhen për të mposhtur rusët, për t’i ndaluar ata të marrin kontrollin e më shumë qyteteve dhe fshatrave ku po kryejnë krime,” tha zoti Sullivan në emisionin “This Week” të ABC News.
Moska ka hedhur poshtë akuzat për krime lufte e bëra nga Ukraina dhe vendet perëndimore.
Duke folur më pas në emisionin “Meet the Press” në NBC News, zoti Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara “po punonin gjatë gjithë kohës për të dorëzuar armë … dhe organizuar dhe koordinuar dërgimin e armëve nga shumë vende të tjera.”
“Armët po mbërrijnë çdo ditë,” tha zoti Sullivan, “përfshirë sot.”
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 1.7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në Ukrainë që kur Rusia nisi agresionin e saj më 24 shkurt, tha Shtëpia e Bardhë javën e kaluar.
Dërgesat e armëve kanë përfshirë raketa mbrojtëse anti-ajrore Stinger dhe antitank Javelin, si dhe municione dhe mbrojtëse trupi. Por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy po u kërkon udhëheqësve amerikanë dhe evropianë të dërgojnë armë dhe pajisje më të rënda për t’u bërë ballë forcave ruse në rajonin lindor të vendit, ku Rusia pritet të intensifikojë përpjekjet e saj ushtarake.
Në pjesë të një interviste me “60 Minutes” të CBS News që do të transmetohet më vonë të dielën, zoti Zelenskiy tha se zmbrapsja e inkursionit rus “varet nga fakti se sa me shpejtësi do të ndihmohemi nga Shtetet e Bashkuara. Që të jem i sinqertë mbojetesa jonë varet nga kjo”, tha ai.
“Kam besim 100% te njerëzit tanë dhe te forcat tona të armatosura, por fatkeqësisht nuk kam besim se do të marrim gjithçka që na nevojitet”, tha ai.
Rusia emëroi të shtunën një gjeneral të ri për të udhëhequr forcat e saj në Ukrainë, Aleksandr Dvornikov.
60 vjeçari Dvornikov është një nga oficerët ushtarakë më me përvojë të Rusisë. Sipas zyrtarëve amerikanë, ai ka një histori brutaliteti ndaj civilëve në Siri dhe luftra të tjera.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Sullivan tha në për CNN-in se parashikon që gjenerali Dvornikov, të orkestrojë krime dhe brutalitet kundër civilëve ukrainas.
Zoti Sullivan tha se emërimi i gjeneralit “nuk mund ta mbulojë faktin se Rusia tashmë është përballur me një dështim strategjik në Ukrainë.”
Një sondazh i CBS News i publikuar të dielën tregoi mbështetje të gjerë mes amerikanëve për dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë.
Sipas sondazhit, i cili u krye javën e kaluar, 72% e të anketuarve favorizojnë dërgimin e më shumë armëve, ndërsa 78% mbështesin sanksionet ekonomike ndaj Rusisë./VoA/
“Gati shqipe!”, Rama, sot takim me shqiptarët në...
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Stuhitë shkaktojnë kaos në Irlandë, Francë dhe Britani të Ma...
Gresa pyet banorët nëse janë të lumtur – Vullneti befason me...
Shërbimi Korrektues i Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimi...
Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët