Përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka realizuar fitoren e dytë në kuadër të Grupit C të kualifikimeve për Kupën e Botës 2024.
Pas fitores ndaj Bullgarisë në mbrëmjen e kaluar, të përzgjedhurit e Arben Simitçiut kanë shënuar fitore edhe ndaj Skocisë, duke e siguruar kësisoj kualifikimin në rrethin e ardhshëm “Main Round”.
Ndeshja e zhvilluar, sot (shtunë) pasdite, në Varna të Bullgarisë, është mbyllur me rezultat 4:1 në të mirë të Dardanëve. Drilon Maxharraj ishte protagonisti kryesor i kësaj ndeshje me tre gola të shënuar.
Në fakt, Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen dhe qysh pas tre minutash lojë kaloi në epërsi me golin e Drilon Maxharrajt. I njëjti lojtar realizoi një supergol në minutën e 9-të.
Skocezët arritën të ngushtojnë më pas epërsinë në 2:1, në minutën e 14-të, me golin e Bradley Steedman, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.
Megjithatë, në vazhdim ishin sërish Dardanët që e menaxhuan mirë lojën dhe arritën të shënojnë edhe dy gola.
Fillimisht realizoi Endrit Hajdini, në minutën e 28-të, derisa Drilon Maxharraj e kompletoi het-trikun në minutën e 36-të.
“Jam shumë i lumtur me këtë fitore dhe me kualifikimin që kemi arritur. Po ashtu, ndjehem mirë që e dhashë kontributin tim me tre gola në këtë ndeshje, të cilët ua dedikoj tifozëve tanë Dardanët. Tani kundër Armenisë presim një lojë të fortë. Normalisht se do të luajmë pa stres dhe shpresoj se do të vazhdojmë me paraqitje të mira dhe ta mbyllim këtë fazë në pozitën e parë në grup”, ka thënë Maxharraj pas ndeshjes.
Ndeshjen e fundit në kuadër të këtij rrethi kualifikues Kosova e zhvillon, të hënën, kundër Armenisë, ku po ashtu synon fitoren, ndonëse tashmë e ka siguruar kualifikimin tutje.
Paris Saint-Germaini merr një fitore komode ndaj Toulouse
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsider...
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...
Koreja e Jugut: Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Koren...