Shala: Vendimi i Gjykatës shton nevojën për ngritjen urgjente të Komisioni Hetimor Parlamentar për sektorin energjetik

12:35 | 9 Prill 2022
L G

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për tarifat e reja të energjisë elektrike,

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila e kishte dërguar këtë rast në gjykatë, ka dal në konferencë për media, shkruan arbresh.info.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala nga PDK, tha se ky është hapi i parë juridik drejt ndërprerjes së një procesi të paligjshëm në sektorin e energjisë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës.

Ai në konferencë tha se ky vendim i gjykatës shton nevojën për ngritjen urgjente të Komisionit Hetimor Parlamentar, shkruan arbresh.info.

“Sot është hapi i parë juridik drejt ndërprerjes së një procesi të paligjshëm dhe diskriminues në sektorin e energjisë dhe vënë në binarë normal të një akti të paligjshëm që tashmë qytetarët po e paguajnë. Vendimi i sotëm i gjykatës, është edhe një konfirmim shtesë dhe një motiv shtesë juridik për nevojën urgjente të ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar, për të cilin tashmë e kemi bërë kërkesën”, tha Shala.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim që ta shtyhet ekzekutimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për tarifat e reja të energjisë elektrike.

“SHTYHET ekzekutimi i vendimit nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Padia ishte bërë nga PDK, përfaqësuar nga sekretari i Përgjithshëm, Bajrush Xhemajli, me propozim për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

Ndërsa, tarifat e reja të energjisë nga ZRRE u vendosen më 9 shkurt 2022, ndërsa u publikuan më 16 shkurt 2022./arbresh.info/

 

Të ngjashme