Albin Kurti: Ka ardhur koha që Greqia ta njohë Kosovën

22:41 | 8 Prill 2022
S D

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Greqia ka thënë që ka ardhur koha që ky shtet ta njohë Kosovën.

Ai tha se Kosova dhe Greqia nuk kanë çështje të pazgjidhura mes vete, por kanë një urë që duhet ta kapërcejnë, njofton Klankosova.tv.

“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë me Greqinë – populli i Kosovës me popullin grek, qeveria e Kosovës me qeverinë greke. Nuk ka çështje të pazgjidhura. Ka një urë të cilën duhet ta kapërcejmë dhe ka ardhur koha që Greqia ta njohë Kosovën dhe para kësaj, dhe sidomos pas kësaj, do të mund të rrisnim bashkëpunimin tonë ekonomik me investime ekonomike, por edhe këmbimet tona tregtare”.

“Besoj që Greqia është lidere rajonale dhe do të mund ta ndihmonte Kosovën shumë në përfitimin e njohjeve të tjera dhe që në këto zhvendosje tektonike dhe rrethana gjeopolitike t’i bashkohemi NATO-s dhe BE-së sa më herët që është e mundur dhe ndoshta shumë më herët sesa që është menduar para ca muajsh”.

Kurti, që këto komente i bëri në bashkëbisedim me gazetaren e “Politico Europe” Nektaria Stamouli në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, tha se Kosova ka gjasa të hyjë në NATO më herët sesa në BE, për shkak të rrethanave gjeopolitike.

“Duam të hyjmë në NATO dhe BE, por është shumë e mundshme që për shkak të faktorëve të shumtë së pari do të hyjmë në NATO dhe pastaj në BE. Jemi vend që kërkon njohje të reja në botë, por në veçanti në kontinentin evropian sepse kemi pesë shtete në BE dhe katër në NATO që s’na kanë njohur dhe shpresoj që edhe këto shtete do t’i bashkohen së shpejti shumicës së shteteve anëtare që është qenësore jo veç për gjeneratën tonë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme