Nagavci reagon pasi Gjykata doli kundër MASHTI-t në lidhje me reformën në arsim

20:58 | 8 Prill 2022
S D

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ka tejkaluar kompetencat dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale.

Ky vendim ngjalli reagime të shumta nga akterët e përfshirë në këtë rast dhe më gjerë.

Së fundmi, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila thotë se askujt nuk duhet t’i mohohet e drejta e shkollimit.

“E drejta për shkollim nuk mund t’i mohohet asnjë fëmije, nga askush. Është obligimi im kushtetues, profesional e moral që të angazhohem për realizimin e të drejtës për arsim për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh ku ata jetojnë”.

Nagavci ka thënë se nxënësit nuk mund të mbesin peng i mosmarrëveshjeve mes Kryetarit të Komunës dhe komunitetit ku jetojnë.

“Vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar, për 441 nxënës të Komunës së Kamenicës e kam marrë pasi dështuan të gjitha përpjekjet që një hap i tillë të ndërmirret nga kryetari i Komunës. Si Qeveri kemi obligim të sigurojmë vijimin e shkollës për të gjithë nxënësit dhe nuk mund të lejojmë që ata të bëhen peng i mosmarrëveshjeve në mes të Kryetarit të Komunës dhe komunitetit ku jetojnë”.

Ajo ka thënë se rreth 100 nxënësve në fshatin Busavatë iu është bërë shkelja e të drejtave.

“Me marrjen e vendimit për mësim të përshpejtuar, 441 fëmijë në Komunën e Kamenicës janë rikthyer në bankat shkollore pas më shumë se 7 muajve. Rreth 100 nxënës të fshatit Busavatë për dy vite nuk kanë vijuar mësimin. Kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve, është papërgjegjësi, është e patolerueshme dhe e pafalshme”.

Ministrja e Arsimit në fund ka thënë se do të analizojë me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ka mbetur në qëndrimet e saj se nuk toleron shkeljen e të drejtave të fëmijëve.

“Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve. Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste”, deklaroi tutje Nagavci.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme