Kushtetuesja merr vendim për shkollat e Kamenicës

15:15 | 8 Prill 2022
arbresh.info

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin e parashtruar nga Komuna e Kamenicës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të 23 prillit 2021.

“Vendimi  i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses, shkruan arbresh.info.

Në rrethanat e rastit konkret, raporti përkatës i Komisionit të MASHTI-it i 14 prillit 2021, ndër të tjera, kishte rekomanduar ndërmarrjen e veprimeve të harmonizuara në mes Ministrisë, Komunës dhe prindërve “që të mundësohet kthimi i menjëhershëm në shkolla i nxënësve”. Megjithatë, duke u referuar në Rregulloren e lartcekur të Qeverisë, MASHTI kishte nxjerrë Vendimin e kontestuar, përmes të cilit, ndër tjerash, kishte organizuar mësim alternativ të përshpejtuar për Komunën e Kamenicës, duke vendosur që të organizohet mësimi në pesë (5) shkolla përkatëse të Komunës së Kamenicës, shkolla këto që paraprakisht parashtruesi i kërkesës i kishte riorganizuar përmes vendimeve, si pjesë e reformës së tij.

MASHT-i përmes Vendimit të kontestuar, ka tejkaluar kompetencën e saj dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore. Gjykata theksoi rëndësinë e respektimit të parimeve kushtetuese përkitazi me vetëqeverisjen lokale dhe detyrimin e pushtetit qendror që çdo kontroll administrativ mbi autoritetet lokale ta ushtrojë vetëm sipas formave dhe në rastet e parashikuara nga Kushtetuta ose ligji i aplikueshëm./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme