Kryeministri, Albin Kurti, në Ditën Botërore të Shëndetit, thotë se Kosova e ka menaxhuar suksesshëm pandeminë me strategjinë “vaksinë-plus”.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se gjatë pandemisë, gati çdo vend i botës, përfshirë edhe Kosovën, është përballur me pasoja jo të lehta për jetën dhe shëndetin njerëzor.
“Sot, më 7 prill, po shënojmë Ditën Botërore të Shëndetit, pas më shumë se dy vjetëve të ballafaqimit me pandeminë COVID-19. Gjatë kësaj pandemie, e cila ende nuk ka marrë fund, gati çdo vend i botës, përfshirë edhe Kosovën, është përballur me pasoja jo të lehta për jetën dhe shëndetin njerëzor. Megjithatë, përballë tri valëve më të fundit të virusit Corona, Kosova, më shumë se çdo vend tjetër i rajonit, ka arritur t’i mbajë në minimum kostot njerëzore. Fillimisht, pas pranimit të detyrës, Qeveria jonë ka marrë masa urgjente për të vënë nën kontroll valën e variantit Alpha të trashëguar prej qeverisë paraardhëse”.
Ai tutje theksoi se gjatë valës së variantit Delta, Kosova ishte ndër vendet e pakta të botës që arritën të ulnin gati në zero rastet e këtij varianti.
“Duke shënuar, rrjedhimisht, një numër dukshëm më të ulët të humbjeve të jetës gjithsej sesa vendet e tjera të Ballkanit, përkatësisht gati 2.5 herë më të ulët për kokë banori, sesa mesatarja e këtyre vendeve. Ndërsa, gjatë valës aktuale të variantit Omicron, vendi ynë përsëri po arrin ta minimizojë numrin e vdekjeve prej COVID-19, i cili numër qëndron pothuajse gjashtë herë më i ulët për kokë banori, sesa mesatarja e vendeve të tjera të rajonit.
“Ky sukses i Kosovës nuk ka qenë vetëm rastësi. Meritat kryesore u takojnë më së pari mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë. U jemi përjetësisht falënderues për punën e tyre të palodhshme, sidomos në dy vjetët e fundit. Prapa suksesit të Kosovës në menaxhimin e pandemisë qëndron edhe një strategji anti-COVID e cila mund të quhet “vaksinë-plus”. Kjo strategji ka dy elemente kryesore. Së pari, Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, ka treguar shkathtësinë shkencore dhe guximin politik për të vendosur masat më efikase të mundshme të mbrojtjes së shëndetit publik”.
Kurti tha që suksesi i Kosovës ka ardhë si rezultat i një fushate të suksesshme të vaksinimit në masë.
“Së dyti, dhe po aq e rëndësishme, suksesi i Kosovës ka ardhur si rezultat i një fushate tejet të suksesshme të vaksinimit në masë. Vetëm gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2021, janë administruar gjithsej 915,000 doza të vaksinës. Dhe deri më sot, Kosova ka arritur të vaksinojë me të paktën dy doza përafërsisht 2/3 të qytetarëve të grupmoshave 18 vjeç e sipër, duke shënuar shkallën më të lartë të vaksinimit në të gjithë rajonin. Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të administrojë dozën e tretë përforcuese për qytetarët tre muaj pas marrjes së dozës së dytë, gjë që është e domosdoshme për të mbajtur imunitetin tonë në nivelin e duhur përballë varianteve të reja të virusit Corona”.
“Mirëpo, menaxhimi i suksesshëm i pandemisë është vetëm fillimi, jo mbarimi i punës sonë në fushën e shëndetësisë. Madje, pikërisht për shkak të ballafaqimit me pandeminë, jo vetëm rëndësia por edhe brishtësia e shëndetit publik, është bërë më e qartë dhe e dukshme tani sesa kurrë më parë. Pandemia veçse ka nxjerrë në sipërfaqe domosdoshmërinë e një reformimi të thellë në të gjithë sistemin shëndetësor të vendit tonë.
Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka pritoritet ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, duke e transformuar shëndetësinë, përmes: digjitalizimit të shërbimeve shëndetësore dhe themelimit të Sistemit Informativ Shëndetësor; mbulueshmërisë universale dhe sigurimeve shëndetësore; parandalimit të sëmundjeve ngjitëse; rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe zgjerimit të tyre, përfshirë mjekësinë parandaluese; ruajtjes dhe kthimit të trurit; ngritjes së cilësisë së edukimit specialistik dhe zhvillimit të hulumtimeve shkencore në mjekësi”.
Ai tha se rruga drejt përmbushjes së këtyre synimeve nuk do të jetë as e shkurtër, as e lehtë.
“Por njëjtë sikurse me betejën tonë të vazhdueshme me pandeminë COVID-19, bashkë do t’ia dalim”, përfundoi Kurti.
Qeveria shqiptare miraton bonusin e fundvitit, përfitojnë mb...
Arben Krasniqi, emërohet sekretar i përgjithshëm në zyrën e ...
Biden kërkon 24 miliardë dollarë të tjera për Ukrainën dhe “...
Kadetët e FSK-së përfundojnë marshimin 12.8 kilometra
Haradinaj e nis ditën në Boletin: Isa Boletini frymëzim për ...
Xheneta e Gjesti gjejnë paqe, puthen në pishinë!