Një raport i Bankës Qendrore të Kosovës, vlerëson se rritja ekonomike e vendit do të ngadalësohet gjatë vitit 2022, ndër të tjera edhe për shkak të luftës në Ukrainë.
Raporti parasheh se gjatë këtij viti vendi do të shënojë rritje ekonomike prej rreth 3.3 pёr qind, ndryshe nga 10.5 për qind sa ishte rritja ekonomike e vitit të kaluar sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Kushtrim Ahmeti nga Banka Qendrore e Kosovës, tha për Zërin e Amerikës, se ndikimi i krizave të tilla si ajo në Ukrainë në ekonominë e Kosovës kryesisht pasqyrohet me rritje të çmimeve.
Ish kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, tha se në fakt Kosova ka hyrë në këtë krizë duke pasur tashmë një krizë ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Vet fakti që në vitin 2021 kemi importuar më tepër se 4 miliardë e 700 milionë euro mallëra nga jashtë, shihet mjerimi i Kosovës sepse krahas importit të këtyre produkteve, ne kemi importuar inflacion dhe ky inflacion në janar të vitit 2022 ka qenë 7.1 për qind dhe kam drojën se për muajin mars do të jetë edhe më i lartë. Kjo është ajo brenga që duhet të preokupojë qeverinë se si duhet të veprohet”, tha ai.
Skënder Krasniqi nga Oda e Afarizmit, thotë se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë është ndjerë në sektorin e ushqimit dhe atë të ndërtimtarisë.
“Edhe pse në raport të drejtpërdrejtë import-eksport, Kosova nuk ka ndonjë eksport ose import të madh nga Ukraina e të ndikohet drejtpërdrejtë, por indirekt është ndikuar shumë. Si rezultat i kësaj ne kemi pasur rritje të çmimeve në Kosovë edhe të produkteve esenciale por edhe të produkteve të tjera të cilat kanë ndikuar shumë, meqë një kohë të shkurtë ka pasur edhe mungesë produktesh, si rezultat i blerjeve të mëdha prej frikës që është shkaktuar”, tha ai.
Gërxhaliu thotë se përballë kësaj situate është i domosdoshëm dialogu i brendshëm por edhe ai rajonal.
“Në rend të parë publiko-privat, në rend të dytë një debat me qytetarët e Kosovës që bashkërisht nëpërmjet dialogut të dalin opsione se si të minimozhen efektet e kësaj krize dhe në rrafshin rajonal si është e mundur që të mos ketë kontakte direkte qoftë me Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut apo Bullgarinë”, thotë ai.
Krasniqi thotë se shqetësues është fakti që edhe rritja ekonomike e cila pritet të ndodhë, zakonisht nuk pasqyrohet në zhvillim të mirëfilltë ekonomik.
“Por edhe kjo rritje zakonisht në përgjithësi në Kosovë nuk ka reflektuar me rritje të punësimit dhe rritje të zhvillimit ekonomik. Zakonisht ka ndikuar për shkak të investimeve të shtetit që një pjesë të madhe ka investuar vet, ndërsa ajo që ne kërkojmë është që investitori kryesor të jetë biznesi dhe jo shteti”, thotë ai.
Edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pas agresionit rus në Ukrainë, ka ulur parashikimet e veta të mëhershme për rritjen ekonomike në shtetet e Ballkanit Perëndimor për 0.9 për qind.
Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e inflacionit në Kosovë, edhe ashtu të lartë për shkak të pasojave të pandemisë COVID-19, ndërsa ekspertët thonë se inflacioni mund të rritet edhe më shumë nëse lufta do të zgjasë edhe më tej. /VoA/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...