Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha më 5 prill, se zbulimi i trupave në qytetin ukrainas të Buças, ishte “provokim” që synon të prishë bisedimet midis Moskës dhe Kievit.
“Ngrihet pyetja: Për çfarë qëllimi shërben ky provokim që haptazi është i pavërtetë? Ne besojmë se kjo është për të gjetur një pretekst për të sulmuar negociatat që po vazhdojnë”, tha Lavrov në një video-mesazh të transmetuar në televizionin shtetëror rus.
Pas largimit të trupave ruse nga Buça, që gjendet afër Kievit, në rrugët e këtij qyteti u gjetën trupa të dhjetëra civilëve të vrarë. Sipas imazheve të publikuara, disa prej viktimave kishin duart e lidhura pas shpine. Këto imazhe kanë bërë që komuniteti ndërkombëtar të dënojë Rusinë, ndërkaq presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka quajtur “gjenocid” vrasjet në Buça.
Ndërkaq, teksa lufta po vazhdon, Ukraina dhe Rusia po vazhdojnë përpjekjet e tyre diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje pas pushtimit që Moska nisi më 24 shkurt. Herën e fundit kur delegacionet u takuan sy më sy ishte javën e kaluar Stamboll të Turqisë.
Rusia pas këtyre bisedimeve njoftoi se do të zvogëlojë aktivitetet e saj ushtarake në perëndim të Ukrainës, dhe do të fokusohet në lindje, për të marrë kontrollin e rajonit të Donbasit.
Në bisedimet në Turqi, Ukraina ka propozuar që të ketë status neutral në këmbim të garancive të sigurisë. Statusi neutral nënkupton se Kievi nuk do t’i bashkohet asnjë aleance ushtarake dhe nuk do të pranojë që të ketë baza të huaja ushtarake në territorin e tij. Ndërkaq, në këto bisedime, Rusia ka thënë se nuk do ta pengojë Kievin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Lavrov pretendoi se situata në Buça synon “të shpërqendrojë vëmendjen nga procesi i negociatave, të shpërqendrojë vëmendjen nga fakti se pala ukrainase, pas Stambollit, filloi të tërhiqej nga propozimet, dhe tentoi të vendoste kushte të reja”.
Ai shtoi se Rusia është “e gatshme” për vazhdimin e bisedimeve.
Më herët gjatë 5 prillit, Zelensky ka thënë se pavarësisht ngjarjeve sikurse ato në Buça, për shtetin e tij nuk ka asnjë zgjidhje tjetër pos të negociojë me Rusinë, që t’i jepet fund luftës.
Përmbytjet në Indonezi, të paktën 19 viktima
Aksident me vdekje në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”
Vazhdon procesi gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së
NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse
Përgjigjja e shkencëtarëve: Si ndikon menjëherë në shëndet k...
Lela nuk ndjehet mirë pas Prime, çka i ndodhi?