Google ADS

Biden kërkon nga Putin të përballet me gjykimin për krime lufte pas vrasjeve masive në Ukrainë

13:49 | 5 Prill 2022
KRG

“Ky tip është brutal. Ajo që po ndodh në Bucha është mizori dhe të gjithë e kanë parë atë”, tha Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka kërkuar nga holomogu i tij rus, Vladimir Putin, që të përballet me një gjykim për krime lufte pasi dolën prova të dukshme të mizorive masive nga forcat ruse në qytetin ukrainas Bucha pranë kryeqytetit Kiev.

Atë që u zbulua në Bucha, qytet nga i cili së fundmi u tërhoqën trupat ruse, presidenti Biden e quajti “mizori”.

Presidenti Putin është një “kriminel lufte, i cili duhet të mbahet përgjegjës”, u tha Biden gazetarëve, duke pohuar më tej se SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mbledhin prova shtesë për të mbështetur pretendimet për krime lufte përpara ndonjë procesi ligjor.

“Ky tip është brutal. Ajo që po ndodh në Bucha është mizori dhe të gjithë e kanë parë atë”, tha Biden.

Ai shtoi se beson se ajo që ai ka parë nuk është e barabartë me atë që përbën një gjenocid, por megjithatë është një krim lufte.

Sipas prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës, dje në qytetin Bucha u gjetën trupat e të paktën 410 civilëve. Rusia ka mohuar se trupat e saj vrarë civilë derisa po tërhiqeshin nga qytetet afër Kievit.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi vrasjet masive, si dhe për të vendosur “përgjegjësi efektive”.

Ukraina u ka bërë thirrje organizatave ndërkombëtare që sa më parë të dërgojnë ekspertë në vend për të mbledhur prova të krimeve të luftës të kryera nga trupat ruse.

Të shtunën, Mikhail Podolyak, një këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se trupa të njerëzve me duar të lidhura dhe të qëlluar për vdekje nga trupat ruse janë “të shtrirë në rrugët” e qytetit Bucha.

Lufta ruse kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, është pritur me zemërim ndërkombëtar, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas të dhënave nga OKB-ja, të paktën 1.340 civilë janë vrarë dhe rreth 2.100 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4.1 milionë ukrainas gjithashtu kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme