Google ADS

Ministri Peci: Prodhuesit bujqësor do ta kenë mbështetjen institucionale

18:07 | 2 Prill 2022
Fjolla Bajraktari

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka vizituar fermerët e fshatit Çabër në Komunën e Zubin Potokut, ku ka parë për së afërmi kushtet në të cilat punojnë këta fermerë dhe është njoftuar edhe me sfidat me të cilat përballen ata në zhvillimin e veprimtarive bujqësore, thuhet në komunikatë për media.

Me këtë rast, Ministri Peci i ka njoftuar ata edhe për mbështetjen e MBPZhR-së për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, e që sipas tij programet mbështetëse të këtij viti do të ofrojnë mundësi lehtësuese për aplikim për fermerët anë e mbanë vendit e po ashtu edhe për këtë rajon.

“Kjo zonë pothuajse asnjëherë nuk ka patur mundësi të aplikojë për subvencione për shkak të fletës poseduese, mirëpo këtë vit fleta poseduese nuk do të jetë kriter, ndërsa njëra formë e kontrollit dhe monitorimit të parcelave do të realizohet përmes digjitalizimit. Kjo i kontribuon zhvillimit të sektorit të bujqësisë në këtë pjesë veriore të Republikës së Kosovës”, theksoi Ministri Peci.

Gjatë kësaj vizite, Ministri është takuar edhe me njërin nga fermerët e kësaj zone, Ahmet Uka, i cili ishte kthyer nga Gjermania dhe është treguar mjaft i suksesshëm në zhvillimin e veprimtarive bujqësore. Krahas kësaj, ky fermer ka treguar se për herë të parë ka përfituar nga kompensimi i dëmeve në bujqësi një vlerë prej 2200 euro./arbresh.info/

 

Të ngjashme