Zëvendës-ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euro-Azinë, Laura Cooper në një intervistë me Zërin e Amerikës, tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë në një emërues të përbashkët në mbështetjen e Ballkanit Perëndimor përballë përpjekjeve të Rusisë për destabilizim.
Cooper në këtë intervistë tha gjithashtu se nuk është në interesin e Serbisë të bashkëpunojë me Rusinë, ndërsa ka hedhur poshtë çdo paralelizëm që bën Moska me ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për të ndalur fushatën e Millosheviqit.
“Nuk ka absolutisht asnjë ngjashmëri mes këtyre situatave. Ajo që shohim sot është një fuqi e madhe që ka zgjedhur të sulmojë një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike pa asnjë provokim dhe po kërkon të pushtojë pjesë të konsiderueshme të atij vendi duke bombarduar popullsinë civile dhe duke penguar dhënien e ndihmës humanitare. Nuk ka absolutisht asnjë të përbashkët”.
Zëvendësndihmës sekretarja amerikane e Mbrojtjes, Laura Cooper ka folur për situatën në Ukrainë. Ajo tha se megjithëse se Moska po ndryshon retorikën lidhur me synimet e saj në Ukrainë, në terren po vazhdon me sulmet shkatërruese kundër popullatës civile.
“Qëllimi i Rusisë fillimisht ishte të zëvendësonte qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në Kiev. Dhe ne e dimë këtë nga informacionet tona të zbulimit dhe në fakt e ndamë këtë informacion me gjithë botën. Mund të thuhet se bota dinte më shumë për planet e Rusisë dhe motivimet e Rusisë sesa vetë ushtarët e Rusisë”, tha ajo për Zërin e Amerikës.
Zyrtarja e lartë e Pentagonit shton se forcat ruse u dërguan në Ukrainë për të marrë në kontroll Kievin dhe territore të tjera kyçe, por ato hasën në qëndresën e fortë të trupave ukrainase, të mbështetura nga aftësitë e ofruara nga perëndimi që befasuan forcat ruse dhe i bënë ato të ndryshonin planet.
“Për momentin fokusi i Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve dhe partnerëve tanë është të sigurojmë që ukrainasit të mund të vazhdojnë qëndresën dhe të kenë peshën e nevojshme në tryezën e negociatave me Rusinë”, tha ajo.
Cooper tha se efekti i sanksioneve ndaj Rusisë po fillon të ndjehet.
“Mendoj se ndërsa publiku rus dhe oligarkët që rrethojnë Putinin dhe janë vënë në shënjestër të sanksioneve, fillojnë të ndjejnë trysninë e tyre, ata do ta drejtojnë këtë trysni ndaj regjimit”, tha ajo.
Në përgjigje të një pyetje të Zërit të Amerikës nëse Shtetet e Bashkuara po e ndjekin me vëmendje Ballkanin Perëndimor, në kushtet e krijuara dhe përpjekjeve të Rusisë për ndërhyrje, zyrtarja e lartë tha se Uashingtoni gjithmonë i kushton vëmendje Ballkanit Perëndimor dhe është i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të aleancës me Ballkanin dhe ruajtjen e partneriteteve të forta në të gjithë rajonin.
“Pa dyshim ka një histori të përpjekjeve të Rusisë për të ndërhyrë në rajon duke u përpjekur të nxisë tensione. Dhe mendoj se ne po shohim që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Jam vërtet e kënaqur jo vetëm nga niveli i vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj rajonit, por edhe se mendoj se edhe partnerët tanë të BE-së janë investuar shumë në sigurimin e stabilitetit”, tha ajo.
Mes praktikave që ajo mendon se Rusia mund të përdorë të destabilizojë Ballkanin, janë ndërhyrja kibernetike, përfshirë manipulimin e hapësirës së informacionit, shenja të së cilave sipas saj vazhdojnë të shihen. Ajo gjithashtu shton se Moska mund të përdorë si mjet korrupsionin, që ka efekt veçanërisht gërryes në rajon, si edhe shitjet e armëve.
Zyrtarja e lartë e Pentagonit tha se SHBA është e hapur për thellimin e bashkëpunimit ushtarak me Serbinë dhe zhgënjehet kur Serbia nuk zgjedh bashkëpunimin.
Ajo shtoi se Rusia është gjithmonë duke u përpjekur të provokojë ndarje midis aleatëve të NATO-s në të gjithë aleancën, përfshirë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Por ndihemi vërtet të sigurt se marrëdhëniet tona të forta të aleancës na mundësojnë të qëndrojmë të fortë së bashku për të mbrojtur aleatët tanë dhe për t’i bërë ballë këtyre presioneve nga Rusia”, përfundoi ajo.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...