Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka bërë të ditur se Policia i është përgjigjur Gjykatës Speciale në të gjitha pyetjet për aq sa ka kompetenca.
Kjo për faktin Dhomat e Specializuara me 8 tetor të vitit të kaluar kërkuan nga Policia detaje nëse ata mund të sigurojnë mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së.
Drejtori ndonëse nuk jep detaje për përgjigjet e dhëna thotë se Policia e Kosovës nuk ka ndonjë detyrë nga Gjykata Speciale në kuptim të hetimeve sepse ato i zhvillon Prokuroria.
“Ne iu kemi përgjigjur Gjykatës Speciale në të gjitha kërkesat që i ka bërë. Natyrisht kërkesat që i ka bërë Gjykata Speciale ndaj Policisë së Kosovës janë të natyrës konfidenciale që nënkupton që nuk mund të flas për detaje, por ajo çka mund të iu konfirmoj është se Policia e Kosovës i është përgjigjur Gjykatës Speciale në të gjitha pyetjet që janë shtruar dhe do t’i përgjigjet jo vetëm Gjykatës Speciale por cilësdo prokurori, dhe cilësdo gjykatë qoftë të vendit, qoftë ndërkombëtare për aq sa ka kompetenca”.
“Ne nuk kemi ndonjë detyre nga Gjykata Speciale në kuptim të hetimeve apo të ngjashme ato i zhvillon prokuroria kështu që Policia ka marrë disa kërkesa dhe në ato kërkesa është përgjigjur”.
Mehmeti beson që Policia e Kosovës nuk është e korruptuar, duke theksuar se janë të përkushtuar maksimalisht që ta luftojnë korrupsionin dhe çdo dukuri brenda organizatës. Ai shtoi se marrëdhëniet me politikën janë profesionale dhe ligjore.
“Nuk e di sa është e korruptuar Policia e Kosovës por unë besoj që Policia nuk është e korruptuar. Nëse jo iu referoheni rasteve individuale të cilat në një individ në Polici të Kosovës mund të ketë rënë ndesh me ligjin, e ka keqpërdorur detyrën zyrtare apo ka rënë pre e korrupsionit apo ndonjë keqpërdorimi të natyrave të caktuara. Përkushtimi i Policisë është që ta luftoj korrupsionin dhe çdo dukuri brenda organizatës”.
“Marrëdhënia ime me politikën është profesionale. Me të gjitha trupat brenda institucioneve ne kemi marrëdhënie profesionale dhe në fund të fundit na i definon ligji marrëdhëniet dhe këto marrëdhënie janë strikt ligjore”.
Sipas tij, aplikimi për zyrtar të ri policor ka përfunduar dhe tani më janë në fazën e procedimit të mëtutjeshëm, ku një pjesë e tyre do t’i nënshtrohen testimit shëndetësor dhe psikologjik.
“Aktualisht ka përfunduar testimi fizik, tani janë në fazën e procedimit të mëtutjeshëm të rezultateve të testimit fizik. Janë në fazën që aplikantët të cilët potencialisht nuk e kanë kaluar testin kanë të drejtë të ankohen pas përfundimit të kësaj procedure”.
“Do të vazhdojmë me testime të mëtutjeshme që janë intervistimi i kandidatëve të cilët i kanë kaluar deri në këtë fazë testimit. Pas kësaj një pjesë e tyre do të dërgohen në testimin shëndetësor dhe psikologjik dhe verifikohet e kaluara dhe ata që e kalojani shkojnë në trajnim për kadet për polic”, tha ai./EO
Osmani takoi Komisioneren për Zgjerim, theksoi rëndësinë e a...
Xheneta, Drilonit: Me qenë ti vëllai im, do më kishte ardhur...
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?