Kam kënaqësinë të jem sot këtu, që bashkë ta shënojmë Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, dhe të njohim e të çmojmë mënyrat e panumërta me të cilat njerëzit me autizëm kontribuojnë në familje e në shoqëri, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ngjarjen e organizuar nga Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë, në shënim të kësaj dite.
Kjo ditë le të na shërbejë për të rritur dhe shtuar njohuritë për autizmin, e për të ndryshuar botëkuptimet. Por edhe për të njohur e nderuar talentet dhe aftësitë unike të personave me autizëm, si anëtarë të çmuar të shoqërisë sonë, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se ndërgjegjësimin në rritje duhet ta përkthejmë në rritje të veprimit dhe të punës së përbashkët për të adresuar sfidat e shumta. Duke filluar nga ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e diagnostikimit dhe të ndërhyrjes së hershme. Dëshmitë shkencore tregojnë se ndërhyrja e hershme çon në rezultate pozitive të mëvonshme në jetë, për njerëzit me autizëm.
Vitin 2022 Qeveria e Republikës së Kosovës ua ka kushtuar personave me nevoja të veçanta, andaj kryeministri ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të punuar bashkë me institucionet dhe organizatat partnere. Ai tha se bashkë me organizatat partnere, prindërit e familjet, do të shtojmë angazhimin për të ndërmarrë hapa konkretë për tejkalimin e barrierave sistematike me të cilat përballen njerëzit me autizëm në jetën e tyre të përditshme. Për të shtuar mbështetjen për personat me autizëm, në aspektin e edukimit, ofrimit të shërbimeve sociale e shëndetësore, kujdesit më të mirë, integrimit, solidaritetit e mundësive për avancim.
Kryeministri veçoi “Javën e Diversitetit”, që së shpejti do të organizojnë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe organizatat partnere, ku fëmijët me autizëm do të shprehin talentin e tyre në garën e vizatimit.
Gjatë këtij viti do të punësohen 100 asistentë në të gjitha komunat e Kosovës, për mbështetjen profesionale të fëmijëve, në mesin e tyre edhe të fëmijëve me autizëm. Kryeministri tha se do të mundësoj pjesëmarrjen efektive në klasë, ndërsa klasa gjithëpërfshirëse do të funksionojë për të arritur potencialin e të gjithëve pa dallim.
Sot, pra e nderojmë diversitetin duke nderuar njerëzit me autizëm. Duhet t’i nderojmë çdo ditë me angazhimin dhe ndërveprimin tonë që t’u ofrojmë mbështetjen dhe kujdesin që u nevojitet, t’ua përmirësojmë cilësinë e jetës. Për të jetuar të pavarur, duke qenë bashkëpjesëmarrës në shoqëri. Për të shtuar ndjenjën e përkatësisë, për jetë me dinjitet edhe me plot mundësi, tha kryeministri Kurti./arbresh.info/
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuar drejtoreshë ekzekutive e Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë, znj.Jeta Deva,
I nderuari profesor Moshe Landsman, i cili do të na drejtohet përmes një video incizimi,
Të nderuar përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të organizatave partnere,
Profesorë e studentë,
Prindër dhe familjarë,
Të dashur fëmijë,
Kam kënaqësinë të jem sot këtu, që bashkë ta shënojmë Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, dhe të njohim e të çmojmë mënyrat e panumërta me të cilat njerëzit me autizëm kontribuojnë në familje e në shoqëri.
Kjo ditë le të na shërbejë për të rritur dhe shtuar njohuritë për autizmin, e për të ndryshuar botëkuptimet. Por edhe për të njohur e nderuar talentet dhe aftësitë unike të personave me autizëm, si anëtarë të çmuar të shoqërisë sonë.
Loja në piano e Elionit është rikujtim e dëshmi për këtë. Teksa e dëgjonim të gjithë bashkë dhe teksa e shikoja interpretimin e tij, më dukej që ish më i vërtetë se secili prej nesh që jemi në këtë sallë. Dhe ishte shumë i kujdesshëm për përshtypjen që len tek ne, pra për dallim prej performuesit tjetërfare çfarë jemi mësuar ta shohim, ishte shumë i brengosur a jemi duke u gëzuar edhe ne që po e dëgjojmë sikurse ai teksa po luan. E në veçanti e kishte një person diku atje në sallë si një autoritet, para së cilës ose së cilit dëshmohej. Dhe ky lloj sinqeriteti, kjo lloj vërtetësie mbase është shumë e rrallë tek ne, edhe më e rrallë se sa që është performimi i jashtëzakonshëm që e dëgjuam të Elionit.
Shikoni, ne në jetën tonë, të gjithë, ndoshta me ndonjë përjashtim, nuk do të arrijmë asnjëherë të luajmë, as Schubertin as Mozartin, e kishim kënaqësinë sot bashkë këtu që ta dëgjojmë një lojë të tillë të jashtëzakonshme.
Andaj, edhe kjo kontribuon në ndërgjegjësimin në rritje dhe ne duhet ta përkthejmë bashkërisht në rritje të veprimit dhe të punës së përbashkët për të adresuar sfidat e shumta. Pra sfidat e Elionit dhe fëmijëve me autizëm nuk janë sfida të tyre, janë sfida të gjithë shoqërisë.
Duke filluar nga ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e diagnostikimit dhe të ndërhyrjes së hershme. Dëshmitë shkencore tregojnë se ndërhyrja e hershme çon në rezultate pozitive të mëvonshme në jetë, për njerëzit me autizëm. Sa ma herët që arrijmë të identifikojmë aq më mirë bëhet më vonë. Prandaj ne bashkë me organizatat partnere po përkrahim fëmijët në institucione parashkollore, duke trajnuar edukatorët dhe duke realizuar aktivitete të edukimit të hershëm.
Jemi të përkushtuar për të punuar bashkë me institucionet dhe organizatat e licencuara të cilat këtë vit zbatojnë projekte të mbështetura nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Vitin 2022 ua kemi kushtuar personave me nevoja të veçanta, disa preferojnë t’i quajnë me aftësi të kufizuara, por nuk di ndonjë njeri që ka aftësi të pakufizuara, dhe kalendari i aktiviteteve për këtë vit, merr parasysh diversitetin e nevojave të veçanta të padukshme.
Gjatë këtij viti do të punësohen 100 asistentë në të gjitha komunat e Kosovës, për mbështetjen profesionale të fëmijëve, në mesin e tyre edhe të fëmijëve me autizëm. Kjo do të mundësojë pjesëmarrjen efektive në klasë, ndërsa klasa gjithëpërfshirëse do të funksionojë për të arritur potencialin e të gjithëve pa dallim.
Bashkë me organizatat partnere, prindërit e familjet, do të shtojmë angazhimin për të ndërmarrë hapa konkretë për tejkalimin e barrierave sistematike me të cilat përballen njerëzit me autizëm në jetën e tyre të përditshme. Për të shtuar mbështetjen për personat me autizëm, në aspektin e edukimit, ofrimit të shërbimeve sociale e shëndetësore, kujdesit më të mirë, integrimit, solidaritetit e mundësive për avancim.
Në prill dhe në maj, pra në dy muajt në vijim, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe organizatat partnere do të organizojnë “Javën e Diversitetit”, ku fëmijët me autizëm do të shprehin talentin e tyre në garën e vizatimit.
Kemi diferenca që të gjithë në shoqëri, jo vetëm për këtë ditë që jemi mbledhur bashkë. Njerëzit janë të ndryshëm në aq shumë aspekte. Po aq sa janë të ndryshëm mund dhe duhet të jenë të barabartë. Pra, duke qenë të ndryshëm duhet të jemi të barabartë, e jo vetëm ta kuptojmë barazinë si identitet. Ata që janë identik, janë të barabartë. Ne duhet të jemi të barabartë pikërisht duke qenë të ndryshëm. Si shoqëri njerëzore pra duhet të krijojmë barazi aty ku ka diversitet, e jo thjesht aty ku gjërat janë identike. Madje pikërisht diversiteti e mundëson edhe barazinë edhe solidaritetin. Ne solidarizohemi me dikë që është në nevojë. Pra na duhet një vetëdijesim i përgjithshëm edhe me përgjegjësi të shtuara institucionale, por edhe me një emancipim shoqëror se pikërisht pse jemi të ndryshëm, duhet dhe mund të jemi të barabartë, jo vetëm me ligj, por edhe në përvojat dhe praktikat jetësore të përditshme. Sepse ka njëfarë lloj paragjykimi në shoqërinë tonë, për dikë që është një çikë ndryshe, e këto ndodhin vetëm për shkak se teksa i shikojmë të tjerët nuk e kemi edhe pasqyrën me vete. Njeriu nganjëherë nuk është identik as me vetveten, e lerë më me një tjetër.
Sot pra e nderojmë diversitetin duket nderuar njerëzit me autizëm. Duhet t’i nderojmë çdo ditë me angazhimin dhe ndërveprimin tonë që t’u ofrojmë mbështetjen dhe kujdesin që u nevojitet, t’ua përmirësojmë cilësinë e jetës. Për të jetuar të pavarur, duke qenë bashkëpjesëmarrës në shoqëri. Për të shtuar ndjenjën e përkatësisë, për jetë me dinjitet edhe me plot mundësi.
Teksa investojmë në arsim për të gjithë, nuk duhet ta lemë asnjërin mbrapa dhe duhet ta kuptojmë që nuk duhet vetëm t’i mësojmë të tjerët e t’i mësojmë ata që janë ndryshe, po edhe të mësojmë prej tyre. Pra mësimi ndodhë gjatë tërë jetës, ku jo vetëm dikush jep e dikush tjetër merr, por që të gjithë japim edhe marrim me njëri-tjetrin, e në këtë kuptim shoqëria bëhet gjithëpërfshirëse pikërisht duke u dëshmuar për kategoritë e veçanta, siç janë ata me nevoja të veçanta, e më specifikisht fëmijët me autizëm, të cilët na kanë mbledhë neve sot bashkë, jo vetëm për hir të vetës së tyre, por edhe të vetes sonë, të gjithë shoqërisë e shtetit.
Falemnderit.
“Economic Times”: Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për...
“Komorani dhe Tirana”, Vullneti ngacmon Drilonin për Sarën
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për...
Nisma sot mban konventën për prezantimin e programit dhe kan...
“Gati shqipe!”, Rama, sot takim me shqiptarët në...
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju