Fondi konfidencial i Sigurisë

14:51 | 1 Prill 2022
arbresh.info

Mjetet e grumbulluara në Fondin e Sigurisë duhet të jenë të njohura për publikun, thonë përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të Komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

Qytetarët e Kosovës tash për tash nuk do të dinë se sa para janë grumbulluar në Fondin e Sigurisë për shkak se Qeveria e Kosovës ka vendosur ta mbajë konfidecial këtë informacion.

Kjo, siç ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke u mbështetur në vlerësimet profesionale “që marrin parasysh sigurinë kombëtare”, edhe në pajtim me Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.

Qeveria e Kosovës, më 2 mars, ka themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë. Ky fond është themeluar, siç ka thënë kryeministri Albin Kurti, bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.

Fondi do të menaxhohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe mjetet e grumbulluara do të përdoren për mbështetje të prioriteteve të Qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm bazuar në vlerësimin e ekzekutivit.

Mjetet e grumbulluar do të alokohen në Ministrinë e Mbrojtjes për shfrytëzim si buxhet shtesë dhe do të përdoren në përputhje me legjislacionin përkatës për financat publike.

Kolonel Sefer Isufi, shef i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë informacione se qytetarët i janë përgjigjur në numër të madh ftesës për të kontribuar në Fondin e Sigurisë.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, në disa raste ka lënë të kuptohet se në fond janë mbledhur miliona euro.

Rashit Qalaj, anëtar i Komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se nuk kanë asnjë informacion lidhur me Fondin e Sigurisë.

“Që nga krijimi i këtij fondi gjithçka ka qenë jo transparente. Ne nuk kemi asnjë informatë në lidhje me atë se si do të shfrytëzohet ky fond, kush do të bëjë auditimin, nuk kemi asnjë informatë. Nuk e dimë sa është shuma e mbledhur. Ne jemi duke u mbajtur në terr nga Qeveria dhe kjo është e papranueshme”, thotë ai.

Qalaj, i cili kishte udhëhequr Policinë e Kosovës disa vjet, konsideron se çdo gjë që ka të bëjë me Fondin e Sigurisë duhet të jetë transparente.

“Qeveria duhet ta bëjë transparent [fondin] se nuk ka arsye të mbahet fshehtë”, thekson Qalaj.

Erblin Hoxha, koordinator i projekteve në Lëvizjen FOL, thotë për Radion Evropa e Lirë se transparenca është baza kryesore e qeverisjes së mirë, në këtë rast, sipas tij, edhe e Fondit të Sigurisë.

“Ne e kemi publik buxhetin e përgjithshëm të FSK-së, dhe pikëpyetja bie pse nuk duhet ta dimë sa para janë grumbulluar nga qytetarët për Fondin e Sigurisë. Fondi duhet të jetë transparent. Duhet ta shikojmë se a do të shfrytëzohet ky fond në mënyrën më të mirë të mundshme”, vlerëson Hoxha.

Ndërkohë, profesori i Shkencave të Sigurisë në Kosovë, Avni Islami, mendon se shuma e grumbulluar e mjeteve nuk duhet të bëhet publike, porse ajo duhet të kontrollohet nga një Komision i gjerë.

“Ai fond duhet të jetë në mbikëqyrje të një dikasteri të Qeverisë apo komisioni i përbërë nga zyrtarë qeveritarë, mërgimtarët, shoqëria civile dhe në këtë mënyrë të kontrollohet dhe të jetë funksional ”, vlerëson Islami.

Sipas tij, shuma e mjeteve që grumbullohen në Fondin e Sigurisë nuk duhet të kuptohet nga shtetet që, siç thotë ai, nuk janë aleate të Kosovës.

Buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në për vitin 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove apo 1,3 për qind të Bruto Produktit Vendor. Më herët, kjo shumë ishte rreth 60 milionë euro.

Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të transforimit në Ushtri.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet për këtë transformim në vitin 2018.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së, mes tjerash, kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit.

Aktualisht, FSK-ja ka rreth 2,500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, që pritet të zgjasë dhjetë vjet, ky numër pritet të rritet mbi 7,500 dhe të përfshijë pjesëtarët aktivë dhe ata rezervistë.

Përndryshe, kjo nuk është here e parë që Qeveria Kurti ka krijuar një fond, në të cilin mund të kontribuojnë qytetarët.

Në vitin 2020, Qeveria e parë e Kurtit kishte krijuar edhe një Fond Emergjent, ku ishin kërkuar mjete financiare nga diaspora e Kosovës për luftimin e COVID-19.

Në këtë Fond ishin grumbulluar mbi 700 mijë euro.

Në një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës 360 mijë euro ishin ndarë për blerjen e aparaturave e disa për COVID-19.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punës, Financave dhe Transfereve për të ditur saktë se ku janë shpenzuar mjetet, por nuk është përgjigjur./REL/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme