Google ADS

Disa rekomandime sesi të mirëpresim Ramazanin

09:57 | 1 Prill 2022
arbresh.info

Mysafiri veqse ka mbërritur, edhe ne jemi përgatit për ta mirëpritur. Nuk ka mysafir më të veçantë e më të begatë sesa muaji i bekuar Ramazan.

Shkruan: Labinot Maliqi

Disa rekomandime sesi të mirëpresim Ramazanin:

  1. Nijeti/Qëllimi: Kujtojuni vetes vazhdimisht se jeni duke agjëruar me bindje vetëm per Zotin e Madhëruar. Jini të sinqertë në qëllimin tuaj. Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin për të) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, i falen të gjitha mëkatet e kaluara”.
  2. Sunneti: Respekto Sunetin/traditën Profetike gjatë agjërimit. Shtrojeni syfyrin pak para agimit, dhe përfundoni agjërimin gjatë perëndimit të diellit. Faluni natën, zgjojeni edhe familjen për t’u falur.
  3. Reflektimi: Mendoni, reflektoni dhe planifikoni për të përmirësuar gjendjen morale dhe shpirtërore të vetes dhe të familjes suaj. Mendoni për gjërat e gabuara dhe mëkatet që keni bërë, dhe vendosni përfundimisht të korrigjoni vetveten. Mendoni për çdo mangësi që keni në raport me obligimet ndaj Krijuesit, pastaj edhe me obligimet ndaj krijesave. Planifikoni të ndryshoni veten. Mendoni për jetën pas vdekjes dhe Ditën e Gjykimit, e sidomos rreth takimit të pashmangshëm me Krijuesin e Gjithësisë.
  4. Namazi, lutja dhe përmendja e Zotit: Faluni në kohë dhe falni të gjitha farzet/kohët obligative të namazeve, por mos e injoroni namazin e teravive. Bëni më shumë dhikër (përkujtoni Zotin) dhe lutuni shumë për veten dhe për të tjerët. Pendohuni dhe kërkoni falje për veten dhe për të tjerët. Kjo është koha më e mirë për t’u përkushtuar dhe për të kërkuar falje tek Allahu. Kërkoni Natën e Kadrit me përkushtim të veçantë gjatë dhjetë netëve të fundit të këtij muaji.
  5. Kurani: Agjërimi dhe shpallja e Kuranit janë shumë të ndërlidhura mes vete. Profeti Musa (paqja qoftë për të) agjëroi kur mori Tevratin. Profeti Isa (paqja qofte për të) agjëroi kur mori Ungjillin. Gjithashtu Profeti Muhammed (paqja e Zotit qoftë për të) agjëroi kur mori mesazhin e parë të Kuranit. Le ta bëjmë të njëjtën gjë. Agjëroni dhe kaloni shumë kohë me Kuranin, Librin e Zotit. Lexojeni çdo ditë, dhe përpiquni së paku një herë gjatë Ramazanit ta përfundoni leximin e tij.
  6. Familja: Mirësia duhet të fillojë në shtëpi. Jini shumë të mirë me familjen tuaj, familjen e ngushtë dhe familjen e gjerë. Kaloni më shumë kohë cilësore me anëtarët e familjes tuaj. Zgjohuni në syfyr së bashku dhe bëni iftar e faluni së bashku. Ramazani duhet t’ju afrojë me njëri-tjetrin. Mëshira e veçantë e Allahut vjen për familjet e bashkuara, që kanë mirësjellje e durim, harmoni e paqe, mëshirë, falje dhe dashuri për njëri-tjetrin.
  7. Jini të lumtur dhe të gëzuar: Ramazani nuk është kohë zie apo pikëllimi. Është një kohë falënderimi ndaj Allahut. Mos u ndjeni të lodhur dhe të mjerë. Ndjehuni vigjilent, me disponim dhe relaksohuni. Merrini gjërat lehtë. Nëse dikush ju ofendon, distancohuni duke i thënë se ‘’unë jam agjërueshëm’’. Kjo kohë është për të mirën tuaj. Jepini njëri-tjetrit urimet e Ramazanit dhe shijoni maksimalisht këtë kohë të bukur.
  8. Sjellja e mirë: Agjërimi duhet t’ju transformojë dhe duhet t’ju bëjë një person tjetër. Mundohuni të jeni tepër të sjellshëm gjatë këtij muaji. Harroni grindjet dhe mosmarrëveshjet tuaja. Pajtohu dhe fali të tjerët. Mos u përfshi në përgojim, gënjeshtra, mashtrime dhe çdo gjë tjetër që është e gabuar dhe e ndaluar. Jini shumë të mirë me të gjitha krijesat. Jini të mirë me miqtë dhe fqinjët tuaj. Kthejeni të keqen me mënyrën më të mirë që dini.
  9. Distancohu: Shmangu nga çdo gjë që është haram (e ndaluar) apo mekruh (e urryer). Mbani trupin dhe mendjen tuaj të pastërt. Agjërimi nuk është vetëm shmangie nga ushqimi dhe pija. Agjërimi është të mësosh sesi të shmangësh nga fjalët dhe veprat e këqija. Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin për të) ka thënë: “Kush nuk lë fjalët e këqija dhe veprat e këqija, Allahut nuk i intereson nëse ai/ajo e lë ushqimin dhe pijen”.
  10. Vizitoni mjekun: Një tjetër gjë për t’i shtuar listës suaj të përgatitjes për Ramazan është një vizitë te mjeku. Nëse keni ndonje shqetësim, diskutimi me mjekun tuaj dhe trajtimi i tyre paraprakisht do t’ju shpëtojë nga shumë telashe gjatë Ramazanit. Nëse keni një sëmundje të gjatë si kolesteroli, diabeti ose presioni i lartë i gjakut, atëherë duhet të vizitoni mjekun tuaj gjithsesi. Nëse tashmë jeni duke marrë mjekim, atëherë mjeku juaj do të jetë në gjendje t’ju këshillojë se si të rishikoni oraret për t’iu përshtatur ditës së agjërimit.
  11. Bëni një listë të lutjeve: Derisa je duke e përgatitur listën e lutjeve, është një tregues i qartë se çfarë qëllime je duke synuar për të arritur gjatë Ramazanit. Myslimanët anembanë botës kënaqen duke i bërë lutje Allahut të Plotfuqishëm. Prandaj, është mirë që gjithmonë t’i përpiloni këto lutje dhe t’i mësoni përmendësh përpara se të arrij muaji i shenjtë i Ramazanit.
  12. Mbani një dietë ushqyese: Agjërimi gjatë gjithë muajit të Ramazanit është një sfidë mendore dhe fizike. Prandaj, mbajtja e një diete të ekuilibruar para dhe gjatë Ramazanit është thelbësore. Komponentët e një vakti të ekuilibruar punojnë së bashku për të mbajtur konstant sheqerin në gjak dhe për të dhënë shumë energji. Prandaj, drithërat, frutat dhe perimet e freskëta, qumështi, kosi, vezët dhe arrat duhet të përfshihen në dietën e njeriut para dhe gjatë Ramazanit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme