Google ADS

Lufta në Ukrainë: Shefi i spiunazhit ushtarak francez jep dorëheqje pasi dështoi në parashikim

23:42 | 31 Mars 2022
Trina Galanxhi

Shefi i inteligjencës ushtarake të Francës është larguar nga posti i tij, pasi Parisi nuk arriti të parashikonte me saktësi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë nga Rusia.

Gjenerali Eric Vidaud, i cili ka udhëhequr Drejtorinë e Inteligjencës Ushtarake (DRM), do të tërhiqet menjëherë nga posti i tij, i tha AFP një burim ushtarak, i cili kërkoi të mos përmendet emri, tramsmeton portal arbresh.info

Burimi konfirmoi një raport në uebsajtin L’Opinion duke cituar një hetim të brendshëm të ministrisë së mbrojtjes që kritikoi “informacionet e pamjaftueshme” dhe “dështimin për të zotëruar çështjet”.

Një tjetër burim i tha AFP se kishte pasur thashetheme brenda ushtrisë në lidhje me largimin e gjeneralit ditët e fundit, ndërsa thuhet se atij i është ofruar një post tjetër.

Në muajt përpara pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin më 24 shkurt, vlerësimet e Francës ishin në kontrast me parashikimet e aleatëve, përfshirë SHBA dhe Britaninë e Madhe, të cilat thanë se një sulm serioz ushtarak ishte i pashmangshëm.

Figura të larta nga qeveria e Emmanuel Macron këmbëngulën se nuk kishte asnjë sugjerim për një pushtim të plotë.

Çështja është veçanërisht e ndjeshme pasi Macron ka shmangur kryesisht fushatën për zgjedhjet presidenciale në prill për t’u fokusuar në trajtimin e luftës, duke synuar të ndriçojë imazhin e tij si një burrë shteti global.

Në fillim të marsit, gjenerali më i lartë i Francës, Thierry Burkhard, pranoi në një intervistë për gazetën Le Monde se kishte pasur dallime në analizat midis Francës dhe SHBA-së mbi atë që do të ndodhte në Ukrainë.

“Amerikanët thanë se rusët do të sulmonin dhe ata kishin të drejtë,” tha Burkhard, i cili ka fituar admirues gjatë konfliktit për vlerësimet e tij të sinqerta për situatën.

Le Monde tha se lufta në Ukrainë kishte ekspozuar dallimet midis shërbimeve të inteligjencës të Francës dhe atyre të Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, të cilat kanë buxhet më të madh dhe më shumë shumë hapësirë për manovrim për sa i përket ligjit të mbikqyrjes./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme