Mos votimi pro ngritjes së Komisionit Hetimor për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike, nga ana e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas opozitës ka vërtetuar dyshimet se në këtë proces ka pasur keqpërdorime, raporton arbresh.info.
E, tërheqja e LVV-së në momentin e fundit nga votimi pro këtij komisioni, ishte e papritur për deputetët e opozitës.
Në anën tjetër partitë jo-parlamentare, thonë se mundësit për keqpërdorim në raste të tilla janë të mëdha, dhe se sipas tyre Qeveria në këtë rast po mbron dikë.
Shefi i Grupit Parlamentarë të PDK-së, Abelard Tahiri, për arbresh.info tha se tërheqja e LVV-së në momentet e fundit ishte e papritur.
“Largimi prej votimit të një Komisioni Hetimor i cili do të nxjerrtë e do të zbardhte çdo zhvillim që ka ndodh brenda shpenzimeve të buxhetit të Kosovës, për blerjen e energjisë elektrike edhe ngritjen e çmimeve e çështje tjera mendoj që nuk i kontribuonte për mirë diçka e tillë pasi që është shumë e rëndësishme për opinionin publik, prandaj ne nuk kemi besuar që në momentet e fundit Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarr një hap të tillë sepse në parim ishin pajtuar që një komision i tillë të votohet, edhe ata veç e kishin propozuar edhe emrat se cilët deputetë do ta përfaqësojnë LVV-në, në atë komision dhe në momentin e fundit gjithçka ndryshoi te ta pavarësisht pse i dërguan emrat dhe votuan mocionin që të jetë si pikë e parë e rendit të ditës në agjendën parlamentare”, tha Tahiri.
Tutje, Tahiri, tha se ky komision do të formohet me 40 nënshkrime me apo pa pëlqimin e LVV-së.
“Kjo është edhe një arsye shtesë e jona se tani një komision të tillë ta formojmë me 40 nënshkrime, kështu që Komisioni Hetimor me vullnetin apo pa vullnetin e LVV-së do të themelohet mirëpo ajo çka ra në sy dhe çka pamë është që definitivisht është se LVV-ja, i frikësohet një komisioni të tillë hetimor dhe tashmë ka disa gjëra të cilat LVV-ja, nuk donë që të dalin në opinionin publik, dhe ne besojmë që tashmë ka një bazë më së të arsyeshme që këtu kemi të bëjmë me keqpërdorim të parasë publike, kemi të bëjmë me keqpërdorim të detyrave zyrtare të zyrtarëve të lartë të LVV-së, që drejtojnë dikastere të rëndësishme në institucionet e Kosovës, dhe kjo është e vetmja arsye se pse një parti politike si LVV-ja, e kundërshton themelimin e Komisionit Hetimor”, tha ai.
Zyrtari i Partisë Social Demokrate (PSD) Nol Nushi, për arbresh.info, tha se me kundërshtimin e këtij komisioni, LVV-ja ka treguar qartë se në këtë proces ka pasur shkelje.
“Nëse përgjegjësi ka qenë transparent dhe nuk ka dyshime LVV-ja nuk kishin pas asnjë problem me votua atë komision, mirëpo qartazi po doket që nuk ka qenë as transparent e nuk ka qenë as ligjor ose pa shkelje, prandaj edhe këta me shumicën në Kuvend që e kanë e pamundësuan një komision hetimor i cili nuk kish me be asgjë tjetër pos me hetue procesin prej fillimit deri në fund, me pas qasje në dokumente, në të dhëna”, tha ai.
E dhënia e 140 milionë euro brenda një muaji, një korporate private sipas Nushit, është shkelje.
Sipas tij, vetë diskutimet rreth këtij procesi dhe ndërrimeve të vendimeve janë aq kontradiktore, gjë që lë vend për abuzim dhe keqpërdorim.
“Mundësia për keqpërdorim ka qenë tepër e madhe, për këtë duhet ta vërtetojnë organet, ne nga jashtë Kuvendit nuk kemi qasje në asnjë dokument mirëpo në sytë e jashtëm, aq lehtë janë dhënë parat, aq shpesh janë ndërruar vendimet dhe aq kontradiktore kanë qenë diskutimet rreth këtij procesi sa që është pothuajse e pamundur mos me kaluar pa ndonjë keqpërdorim apo abuzim. Kështu që përveç Komisionit për Hetim Parlamentar aty ka vend edhe për Prokurori sepse për një muaj ditë i janë dhënë miliona euro një korporate private e që nuk ka ndodh ma herët që për një muaj, me ju nda 140 milionë euro KEDS-it, mendojë që është shkelje”, tha Nushi.
Ndërkaq votimi kundër nga ana e deputetëve të LVV-së, Nushi tha se po tregojnë qartazi se janë pro çdo vendimi të Qeverisë pa i diskutuar fare.
Sipas tij, kjo nuk është asgjë tjetër pos pamundësim i hetimit të dyshimeve që tashmë ekzistojnë.
“Kjo është arroganca e numrave që e dëmton demokracinë d.m.th deputet e Kuvendit, këta që janë deputet coftë të pozitës coftë opozitës janë aty me e mbrojt interesin publik, nuk janë me e mbrojt Qeverinë, në këtë rast deputet e LVV-je nuk bëjnë asgjë tjetër përpos që votojnë pa diskutim rekomandimet e Qeverisë dhe bllokojnë pa diskutim iniciativat e opozitës çfarëdo cofshin ato, nuk po du me u rreshtua e me thanë se çdo iniciativë e opozitës është edhe e drejt dhe duhet të votohet por qysh është rasti i Komisionit Parlamentar Hetimor për KEDS, për krizën energjetike nuk ka asnjë arsye logjike që ajo të refuzohet përpos tentativës për me fsheh apo për me ju pamundësua hetimi i dyshimeve që tashmë ekzistojnë”, tha Nushi.
Po ashtu edhe, shefi i Grupit Parlamentarë të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se në të kaluarën PDK-ja nuk ka pamundësuar komisione hetimore.
Ai përmendi edhe komisionin për Hidrocentrale që LVV-ja e kishte ngritur në të kaluarën nën dyshime për keqpërdorime.
“Asnjëherë në të kallumen, që 20 vite prej se është themelua Parlamenti i Kosovës, kurrë s’ka ndodh që një komision hetimor të bllokohet nga një parti. Ne gjithmonë kemi pas konsensus që të zbardhet e vërteta. LVV-ja në të kaluarën kishte ngritur një Komision Hetimor për hidrocentralet, dhe ne e kishim votuar një komision të tillë, pikërisht për faktin që duhet të zbardhet çfarëdo keq-menaxhimi që ka mund të ndodh në cilën do fushë, coftë në energji, ekonomi, shëndetësi, arsim dhe këtu shohim që LVV-je definitivisht e mbron dikë nga keqpërdorimet që i kanë bërë”, tha Tahiri.
Arbresh.info ka tentuar të marr përgjigjeje edhe nga Shefja e Grupit Parlamentarë të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, por nuk ka qenë e qasshme.
Kujtojmë se, kjo pikë erdhi si propozim i Partisë Demokratike të Kosovës. Komisioni synohet të ketë mandat gjashtëmujor dhe do të përbëhet nga 11 anëtarë./S.D/arbresh.info/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...