SHBA: Putin po keqinformohet mbi atë se çfarë po ndodh në Ukrainë

16:27 | 30 Mars 2022
KRG

Shtetet e Bashkuara besojnë se presidenti rus Vladimir Putin po “dezinformohet” nga këshilltarët e tij se sa keq po performon ushtria ruse në Ukrainë dhe ndikimin e sanksioneve në ekonominë ruse.

Një zyrtar i lartë i SHBA-së, ka theksuar për CNN se Vladimir Putin po keqinformohet mbi atë se çfarë po ndodh realisht në Ukrainë, duke shtuar se këshilltarët e tij po i fshehin gjithçka.

“Ne besojmë se Putini po keqinformohet nga këshilltarët e tij se sa keq po performon ushtria ruse dhe se si ekonomia ruse po gjymtohet nga sanksionet, sepse këshilltarët e tij të lartë kanë shumë frikë t’i thonë të vërtetën”, u shpreh zyrtari amerikan.

Zyrtari shtoi se SHBA-të kanë informacione që tregojnë se Putini është bërë i vetëdijshëm për dezinformatat, duke çuar në një përçarje midis tij dhe zyrtarëve të lartë të mbrojtjes ruse.

“Ne kemi informacione se Putini është ndjerë i mashtruar nga ushtria ruse. Tani ka një tension të vazhdueshëm midis Putinit dhe (Ministrisë së Mbrojtjes), që rrjedh nga mosbesimi i Putinit në udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes”, tha zyrtari amerikan.

Ndërsa shtoi se Putin nuk e dinte që ushtria e tij “po përdorte dhe po humbiste rekrutët në Ukrainë, duke treguar një ndarje të qartë në rrjedhën e informacionit të saktë për presidentin rus”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme