Media shtetërore: Kina, e gatshme të çojë marrëdhënien me Rusinë në “tjetër nivel”

16:11 | 30 Mars 2022
L G

Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Rusisë janë takuar në Kinë, para takimit të përfaqësuesve qeveritarë nga shtetet që janë në kufi me Afganistanin.

Sipas medias shtetërore ruse, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ka thënë se marrëdhëniet në mes të të dyja shteteve u kanë rezistuar testeve të reja që kanë ndryshuar situatën ndërkombëtare.

Wang ka thënë se Kina është e gatshme që marrëdhënia e tyre të kalojë “në një epokë të re” dhe “nivel më të lartë”.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e ka informuar homologun e tij kinez për “operacionin special ushtarak” në Ukrainë, përshkrim që përdor Moska për luftën në Ukrainë.

Lavrov ka thënë se të dyja shtetet “kundërshtojnë hegjemoninë” dhe zbatojnë “parimet e Kombeve të Bashkuara”.

Ai ka thënë se “Rusia është e përkushtuar në ulje të tensioneve” në Ukrainë dhe “do të vazhdojë bisedimet për paqe”, si dhe “mbajtjen e komunikimeve me komunitetin ndërkombëtar”.

Wang ka thënë se Kina ka “qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë”, duke shtuar se “çështja” e Ukrainës është komplekse.

Ai ka thënë po ashtu se Kina mbështet përpjekjet e Kinës, dhe palëve tjera, “për të parandaluar krizën e gjerë humanitare”.

Kina ka refuzuar vazhdimisht që të kritikojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës./rel/

Të ngjashme