Google ADS

Posedim i narkotikëve, ngritet aktakuzë kundër një personi në Prizren

10:30 | 29 Mars 2022
A. B.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.K., i cili gjendet në paraburgim nga data 29.01.2022 për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, më 29.01.2022, rreth orës 16:00 në Prizren, i akuzuari S.K., pa autorizim posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi policia në afërsi të lagjes ‘’Bazhdërhane’’ në Prizren, ndalon automjetin e markës “Citroën C3”, ngjyrë hiri metalike, të cilin ishte duke e drejtuar i pandehuri, me ç’rast pas kontrollit fizik të automjetit, tek ulësja e pasagjerit i është gjetur dhe sekuestruar një qese najloni e mbushur me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 1,152.82 gram.

Ndërsa, pas zbatimit të urdhër kontrollit në lokalin e tij i cili gjendet në Prizren, në një bunker të improvizuar brenda lokalit policia arrin të gjejë dhe sekuestrojë: nëntë qese najloni të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë gjithsej 8.883.38 gram dhe disa qese plastike të cilat kanë qenë të destinuara për paketim të lëndëve narkotike.

Po ashtu, pas zbatimit të urdhër-kontrollit tek shtëpia e tij në Prizren, policia arrijnë të gjejnë dhe sekuestrojnë dy lule me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 1.88 gram.

Me këto veprime i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.​/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme