Në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës, të hënën po dëgjohet dëshmitari i dytë i mbrojtjes, Ahmet Ademi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Mustafës, ka shpjeguar veprimtarinë e Kryqit të Kuq të Kosovës gjatë viteve ‘97-99.
Dëshmitari Ademi ka deklaruar se nga mosha 28 vjeçare e deri në vitin 1997 kishte punuar në Kryqin e Kuq të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, gjatë vitit 1997 ai tha se punëtorët shqiptarë ishin larguar nga puna nga serbët, me ç’rast të njëjtit kishin vepruar ilegalisht duke hapur zyrë të Kryqit të Kuq të Kosovës.
“Kryqi i Kuq i Serbisë na dëboi nga puna më 1997, për arsye se Kryqi i Kuq nuk donte me ditë na shqiptarët çka po bëjnë ata, çka po veprojnë ata, për ata arsye na kanë largu nga puna. Në vitin 1997 me profesorin Isuf Dedushaj, me anëtarët tjerë kemi hapur një zyre të Kryqit të Kuq ilegalisht, i cili ka vepruar në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën ta quaj”, tha ai.
Fillimisht, këtë zyrë dëshmitari tha se e kishin hapur në lagjen “Dardania”, e që cila kishte ekzistuar deri në vitin 1998, ku kishte punuar edhe tani mjeku i ndjerë, Shpëtim Rrobaj.
Kurse, më pas tha se për shkak të hapësirës të njëjtit kishin hapur zyrën e dytë në një shtëpi private të një qytetari, rrugës për në Gërmi.
“Pas vdekjes së Shpëtim Rrobaj, zyra në ‘Dardani’ u shpartallua dhe kemi filluar punën në zyrën rrugës për Gërmi, dhe aty kemi vendosur që të punojmë që të gjithë, sepse aty u bë një jetë shumë më e vështire dhe filluam të punojmë me një staf më të reduktueshëm”, shtoi dëshmitari.
Ai ka deklaruar se Kryqi i Kuq serb kishte vazhduar të punojë, mirëpo siç tha, ata e kishin parë të nevojshme të krijohej Kryqi i Kuq i Kosovës me qëllim të daljes në ndihmë të popullatës shqiptare, pasi që të njëjtit nuk kishin mundësi të furnizoheshin siç duhej me ndihma.
“Nuk kanë mujt m’u furnizu siç duhet, po mendoj me gjana ushqimore, shtrojë, mbulojë, qumësht për fëmijë, ata s’kanë mujt me marrë se një arsye ata i urrenin popullatën shqiptare”, u shpreh Ademi.
Pajisjet mjekësore, dëshmitari tha se të njëjtit i kishin marrë përmes donacioneve nga njerëz të ndryshëm, nga fondi “Vendlindja thërret” dhe një barnatore që e kishin afër zyrës.
Kurse, sa i përket shpërndarjes, dëshmitari deklaroi ata kishin qenë 7 persona të cilët ndihmat i kishin shpërndarë në zona të ndryshme dhe atë të Drenicës, Llapit, Gollakut dhe në Gjilan.
“Shpërndarjen e kemi bërë shumë me vështirësi, në disa kemi qenë ne disa vinin popullata tek ne në zyrë, disa i çojshim ne, afër shkojshim me automjete, tani pjesën tjetër shkojshim në këmbë me çanta në shpinë tu i çu nëpër fshatra. Ka pasur persona të caktuar të cilët kanë ardhë tek ne i kanë marrë materialet dhe i kanë dërguar ato nëpër fshatra, qytete”, tha ai.
Për shpërndarjen e këtyre ndihmave, dëshmitari tha se gjatë viteve 1998 deri më 1999 ka pasur vështirësi të mëdha sepse sipas tij e tërë kjo shpërndarje është bërë në mënyrë ilegale fshehurazi nga ushtria serbe meqenëse të njëjtit do t’i maltretonin po t’i kapnin.
“Edhe ata, por edhe anëtarët tonë të cilët kanë qenë në terren se s’kemi pasur mjete për t’i dërguar ato nëpër pika të caktuara sepse gjithmonë jemi tut nga policia serbe, kemi shkuar aty për t’i dërguar senet fshehurazi për mos me na pa policia për këto çka po çojmë ne, barna, qumësht, pelena etj, do të thotë krejt fshehurazi i kemi dërguar ato, gjithmonë me frikë kemi shku”, tha ai.
E kjo situatë, sipas dëshmitarit është vështirësuar edhe më shumë gjatë sulmeve ajrore nga NATO-ja, pasi që siç tha ai policia serbe ishin bërë më të ashpër.
Gjatë kësaj kohe, dëshmitari ka shpjeguar se të njëjtit kishin pasur afër zyrës një pikë kontrolli të policisë, andaj qytetarët nuk shkonin më tek kjo zyrë dhe se edhe vet ata për të shkuar në zyrë duhej të kalonin përmes oborreve të shtëpive me qëllim të shmangies së kësaj pike.
“Atij punktit u dashke me iu shmang sepse po të shkojshim nëpër atë rrugë të hallakatshin, t’i merrnin senet, edhe besa besë të rrahshin ose kanë mujt edhe me të mbytë, për atë arsye u dashke me shku fshehurazi për t’iu larguar asaj pike kontrolli të policisë që ka qenë aty. Në Prishtinë ka pasur shumë pika të kontrollit”, tha ai.
Dëshmitari ka treguar se shpërndarja e materialeve është bërë përmes vullnetarëve pasi që të njëjtit kishin vetëm një veturë me të cilën shkonin deri tek një vend e se pastaj shpërndarjen e bënin duke ecur në këmbë.
Gjithashtu, edhe pas sulmeve ajrore të NATO-s, dëshmitari ka thënë se situata ka qenë e rënduar pasi që shpërndarjen e materialeve është dashur ta bënin duke i mbajtur në shpinë me çanta të cilat peshonin rreth 30-40 kilogramë.
“Mua personalisht më ka ndodhë në fshatin Shalë, Komuna e Drenasit duke bartur torbën me afër 40 kg në kile, kur t’u shku kodrës teposhtë, na kanë parë forcat serbe, edhe jam rrëzu edhe e kom thy kamën edhe qashtu zvarrë afër nja 15 minuta kam shku deri poshtë në një shtëpi private, aty jam pozicionu”, tha ai.
Dëshmitari Ademi theksoi se dërgimin e pajisjeve e kanë bërë gjatë ditës, por edhe gjatë natës.
“Ka ndodhë edhe ditën, por ka ndodhë edhe natën kemi bërë dërgimin e këtyre pajisjeve, shumicën ditën por na ka zënë edhe natën koha kur kemi dërgua sende”, tha ai.
Ndërsa, për pjesën e Gollakut, ai ka thënë se vullnetarët kishin shkuar për t’i marrë gjërat që u dërgonin dhe më pas ato i shpërndanin në pikat e tyre, fshatrat rreth Gollakut.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...