Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk tregojnë se çfarë do të ndodhë me qindra mjekë, infermierë dhe staf tjetër shëndetësor, që janë punësuar në spitalet e Kosovës për të plotësuar nevojat e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për angazhimin e stafit shtesë – prej 1,286 vetash – nga gjysma e vitit të kaluar.
Këta punonjës kanë filluar punën në periudha të ndryshme, ndërsa kontrata që u është lëshuar, ka pasur afat gjashtëmujor ose tremujor, me mundësi vazhdimi për tre muajt e ardhshëm.
E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë informacione se sa është numri i punonjësve të cilëve u ka skaduar kontrata dhe sa vazhdojnë të mbeten në punë.
Në një përgjigje me shkrim, ajo ka thënë se vendimi për vazhdimin e kontratave do të merret “varësisht nga gjendja pandemike në vend”.
Aktualisht, Kosova është duke kaluar në një valë të lehtë të pandemisë, krahasuar me fundin e verës së vitit të kaluar, apo me javët e para të këtij viti, kur numri i të infektuarve brenda ditës me koronavirus ka arritur në disa mijëra.
Bleonë Krasniqi është një prej infermierëve që ka nisur punën si staf shtesë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhjetorin e kaluar.
Ashtu siç qëndrojnë gjërat tani, kontrata e saj pritet të përfundojë në qershor.
Bleona thotë se nuk ka asnjë informacion se çfarë do të ndodhë me vendin e saj të punës.
“Unë jam aftësuar profesionalisht dhe dëshiroj që Ministria e Shëndetësisë të ma mundësojë të mbetem brenda sistemit shëndetësor dhe të më bëjë kontratë të rregullt”, thotë Bleona.
Fitim Havolli, nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës, thotë se sistemi shëndetësor ka nevojë për infermierë shtesë dhe se Ministria e Shëndetësisë duhet t’i zgjasë kontratat e stafit tashmë ekzistues.
Sipas Havollit, në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, një infermier kujdeset për 24 pacientë, ndërsa numri maksimal i tyre do të duhej të ishte shtatë.
Kjo gjendje joproporcionale, thotë ai, pamundëson edhe shërbimet cilësore për pacientët.
Për më tepër, shton Havolli, infermierët mësyjnë migrimin, për shkak të mungesës së punës në Kosovë.
“Shqetësimi aktual nuk është vetëm për interesimin e gjeneratave të reja për të braktisur Kosovën, por shqetësimi është edhe për të punësuarit që po shikojnë alternativa për t’u punësuar në shtetet perëndimore, sepse pagat për infermierë nuk janë për jetesë, por për mbijetesë”, thotë Havolli.
Paga bazë e një infermieri në Kosovë është rreth 400 euro në muaj.
Personeli shëndetësor i Kosovës përbëhet prej më shumë se 14,000 vetash.
Prej tyre, sipas kryetarit të Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, më shumë se 3,200 janë mjekë të të gjitha profileve, mbi 7,000 janë infermierë, ndërsa pjesa tjetër është personel administrativ.
Syla thotë se sistemit shëndetësor të Kosovës i nevojiten më shumë se 4,000 infermierë shtesë.
“Shumë njerëzore dhe profesionale do të ishte që këta [stafi shtesë] të pranohen me automatizëm… Dhjetëra infermierë, çdo muaj, në mënyrë të heshtur, po e braktisin sistemin dhe po punësohen në vende të tjera”, thotë Syla.
Bleona, infermierja 21-vjeçare, thotë se nëse nuk i vazhdohet kontrata në QKUK, do të përpiqet të migrojë në Gjermani.
“Vazhdimisht e kam menduar migrimin. Gjatë kësaj periudhe sa kam punuar, kam pasur një stepje, duke menduar se po bëhet mirë dhe se do të qëndroj në vendin tim. Por, këtu nuk ka zgjidhje. Prapë, mendoj të largohem, sepse kam pasur kontakt me kolege që kanë filluar punën në Gjermani… Kushtet e punës dhe pagat atje janë shumë të mira”, thotë Bleona.
Hatixhe Avdyli, nga Komuna e Gjakovës, ka dhjetë muaj që ka filluar punën e infermieres në qytetin Dortmund të Gjermanisë.
Paraprakisht, ajo thotë se ka punuar tre vjet në sistemin shëndetësor në Prishtinë – publik dhe privat.
“Kam punuar gjashtë muaj për pagën që e marr për një muaj në Gjermani”, thotë ajo.
Paga neto e infermierit në Gjermani është 2,400 euro në muaj.
“Në Kosovë, shumë punë, shumë përgjegjësi, pak para. Në QKUK kam punuar si staf mbështetës në periudhën e pandemisë dhe dy infermiere jemi kujdesur për 24 deri 28 pacientë. Vetëm njëra prej nesh është marrë me shërbime për pacientët, tjetra ka asistuar pacientët jashtë dhomave. Këtu [në Gjermani], shtatë infermierë kujdesemi për 15 pacientë. Numri i infermierëve rritet me numrin e pacientëve”, tregon Hatixhja.
Në spitalin ku punon, ajo thotë se punojnë edhe 16 infermierë të tjerë nga Kosova dhe tre mjekë.
Duke qenë në të 30-at e saj, Hatixhja thotë se nuk beson se do të kthehet në Kosovë. Aktualisht, thotë se jeton e vetme në një banesë me qira, në vlerë prej rreth 400 eurosh në muaj.
“Kur shikoj anët pozitive për të ardhmen e familjes sime, këtu ka perspektivë”, thotë ajo.
Largimi i stafit mjekësor nga Kosova, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, është një problematikë që e përcjell Kosovën me vjet.
Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova në periudhën 2018-2021. Ndërsa, në gati tre muajt e parë të këtij viti, institucionet shëndetësore të Kosovës i kanë braktisur 59 mjekë.
Të larguarit ankohen kryesisht për kushtet e punës, përfshirë pagat. Disa, me gjithë aftësimin profesional, nuk arrijnë të gjejnë punë të qëndrueshme në Kosovë.
Ishte i dënuar me burgim për dhunë në familje dhe dy vepra t...
Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal ndaj Pecit e...
Gërvalla deklarohet e pafajshme për mosdeklarim të pasurisë
Kryeministri Kurti apel të rinjve: Ky vend ia vlen fortë të ...
Nis prezantimi i Studimit të Rinisë 2024,nga Fondacioni Frie...
Edi Rama ndan foto nga Unaza Verilindore e Tiranës