Google ADS

Sulmi në Arabinë Saudite, por Formula 1 nuk ndryshon programin – Hamilton i kritikon organizatorët

10:10 | 26 Mars 2022
Fjolla Bajraktari

Pilotët e Formula 1 përjetuan një tronditje të madhe ditën e premte teksa po zhvillonin provat e lira në pistën e Jeddah në Arabinë Saudite, pasi depot e naftës pranë pistës u sulmuan me raketë nga Jemeni.

Dy vendet janë prej kohësh në një konflikt, ndërsa nga goditja e depove të naftës shpërthimi ishte i madh dhe tymi i flakës mbuloi pistën.

Max Verstappen, i cili ende nuk e kishte kuptuar çfarë po ndodhte, pyeti mekanikët e tij nëse makina Red Bull kishte marrë flakë.

Pas sulmit, menjëherë drejtuesit e Formula 1 u mblodhën së bashku me drejtuesit e skuadrave dhe pilotët, ndërsa vendosën që gara e së dielës të zhvillohet normalisht pavarësisht sulmit, teksa kanë marrë garanci nga autoritet e Arabisë Saudite se siguria e tyre nuk do të cënohet.

Por, jo të gjitha kanë qenë dakord për të garuar të dielën dhe një prej tyre ishte Lewis Hamilton i cili kërkoi që Çmimi i Madh i Arabisë Saudite të anulohej për shkak të sigurisë së cënuar.

Gjithsesi, britaniku ishte në minorancë dhe programi vazhdon sipas planit me provat zyrtare të shtunën dhe garën të dielën, ndërsa një arsye pse gara nuk u anulua është edhe fakti se shteti arab “hedh” plot 50 milionë euro që sporti i shpejtësisë të dhurojë spektakël në vendin e tyre. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme