Kryeministri grek: Evropa duhet të jetë e kujdesshme ndaj sanksioneve kundër Rusisë

14:51 | 25 Mars 2022
arbresh.info

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se paketa masive e paprecedentë e sanksioneve kundër Rusisë “në fakt gërryen dhe dëmton” edhe ekonominë evropiane.

Në një intervistë për CNN, Mitsotakis tha se ekonomia ruse është tkurrur rreth 10 për qind dhe se “të gjitha përfitimet që Rusia ka bërë gjatë dekadës së fundit mund të zhduken brenda një viti”.

Megjithëse këto sanksione janë domethënëse, Mitsotakis duke iu referuar kostove të larta të energjisë tha se “Evropa duhet të jetë shumë e kujdesshme që të mos lejojë që këto sanksione të dëmtojnë Evropën më shumë sesa Rusinë”.

Në përgjigje të pyetjes për pagimin e çmimit për sanksionet e vendosura në vend që të luftohet një luftë, Mitsotakis tha se “ne po paguajmë një çmim”.

“Ne të gjithë duhet të ri-vlerësojmë parashikimet tona të rritjes, ne jemi përballur me presione të konsiderueshme inflacioniste si rezultat i luftës dhe kostot e energjisë vërtetë po dëmtojnë”, shtoi ai.

Më tej, kryeministri grek theksoi se përveç angazhimit për të mbështetur Ukrainën, i njëjti angazhim shkon për “qytetarët për t’u siguruar që ata të mos vuajnë më shumë sesa në të vërtetë mund të durojnë”.

Lidhur me krizën e refugjatëve ukrainas, Mitsotakis tha se “Ne ishim në ballë të krizës së refugjatëve të së kaluarës. Pra, ne jemi shumë të ndjeshëm për t’u siguruar që të mund të ofrojmë një vend të sigurt për refugjatët ukrainas”.

Megjithatë, shtoi ai, vendet evropiane duhet të bëjnë më shumë, sepse shifrat “thjesht do të jenë dërrmuese”.

Greqia aktualisht strehon rreth 15 mijë ukrainas që u larguan nga vendi i tyre që kur rusët nisën një luftë kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Lufta Rusi-Ukrainë është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 1.035 civilë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, si dhe rreth 1.650 të tjerë janë plagosur, megjithatë paralajmërohet se shifra e vërtetë duket se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 3.7 milionë refugjatë gjithashtu kanë ikur nga Ukraina drejt vendeve fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme