Google ADS

SHBA: Ndërhyrja e NATO-s ishte edhe e nevojshme edhe legjitime

22:33 | 24 Mars 2022
L G

Në 23-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve strategjike të Serbisë, Misioni i SHBA-së në OSBE, ka bërë një deklaratë nëpërmjet këshilltares politike, Elisabeth Rosenstock-Siller, në Këshillin e Përhershëm të Organizatës në Vjenë.

Përfaqësuesja amerikane në OSBE, ka thënë se përdorimi i forcës nga NATO ndaj Serbisë, ka qenë i nevojshëm dhe legjitim, dhe kishte ardhur pas shterjes së të gjitha rrugëve diplomatike.

Rosenstock-Siller, duke shprehur keqardhjen e saj për të gjitha jetët e humbura si pasojë e agresionit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe gjatë operacionit ushtarak të NATO-s, ka theksuar se tani është koha që qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të punojnë së bashku për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, me parimin e njohjes reciproke.

Më poshtë, lexoni deklaratën e plotë të SHBA-së në OSBE, të përkthyer në shqip:

Njëzet e tre vite më parë, NATO filloi Operacionin Forca e Bashkuar për t’i dhënë fund një dekade të gjakderdhjes në Ballkan. Ky intervenim erdhi pas shterjes të të gjitha rrugëve diplomatike, për ta ndalur një fushatë brutale të spastrimit etnik, të nxitur nga regjimi i Millosheviqit.

Përdorimi i forcës nga NATO në këtë rast, ka qenë edhe i nevojshëm edhe legjitim. Më lejoni t’ia kujtoj këtij Këshilli, se Këshilli i Sigurimit të OKB-së kishte shprehur shqetësim lidhur me kërcënimin se kriza e rëndë humanitare në Kosovë dhe numri i madh i refugjatëve, përbënin kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Sot, ne kujtojmë qindra mijëra qytetarë të pafajshëm, të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të tjerë të vrarë apo të zhdukur, si pasojë e nacionalizmit të dhunshëm të regjimit të Millosheviqit dhe forcave të tij.

Është detyrë e dy qeverive, asaj të Serbisë dhe të Kosovës, që të sigurojnë drejtësi të plotë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre si dhe informacione lidhur me fatin e më të dashurve të tyre.

Ndjejmë keqardhje të thellë për humbjen e jetëve civile, përfshirë edhe të atyre që u zhdukën përgjatë këtij operacioni ushtarak. I kujtojmë dhe bashkëndjejmë me familjet që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë konfliktit në vitet e ’90-a. Kur vizituam Beogradin në vitin 2016, Presidenti Biden kishte shprehur ngushëllimet e tij personale te familjet të cilat kishin humbur jetët në vitet ’90, përfshirë edhe ato që erdhën si pasojë e fushatës ajrore të NATO-s. Dhe unë, sot, shpreh edhe ngushëllimet e mia të sinqerta.

Shtetet e Bashkuara mbështesin një të ardhme demokratike, prosperuse dhe paqësore për Ballkanin perëndimor. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë për t’i dyfishuar përpjekjet në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që duhet të jetë e qendërzuar në njohje reciproke, nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Arritja e marrëveshjes kërkon fleksibilitet, kompromis dhe guxim politik nga të dyja palët. Është e qartë se ‘status quo’-ja, pengon si Kosovën, ashtu dhe Serbinë për t’i zhvilluar potencialet e tyre të plota.

Le të nderojmë kujtimin për ata që i humbëm, duke punuar së bashkua për ndërtimin e një të ardhme paqësore dhe prosperuese për secilin në Ballkanin perëndimor./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme