Parashikimi i zymtë, vala e rritjes së çmimeve do të vijojë

00:57 | 24 Mars 2022
Trina Galanxhi

Autoriteti i Konkurrencës përgjegjës për të monitoruar tregun thotë se ka nisur hetimi si për karburantet, ashtu edhe çmimet e produkteve të shportës.

Por, marrëveshjet e heshtura mes grosistëve nuk janë një fenomen i lidhur me krizën, por e kemi parë në vijimësi.

“Ajo që duhet dhe nuk bëhet në vendin tonë është që institucionet duhet të ndërhyjnë dhe të bëjnë hetimet e nevojshme që ta mbajnë të paktën nën kontroll situatën. Absolutisht që do kemi rritje të vazhdueshme. Çmimet do të vazhdojnë të paktën deri në fund të marsit që të njohin rritje. Sepse janë të dy situatat lufta dhe pandemia që e kanë iniciuar këtë rritje” u shpreh eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj

Në vitin 2019 qeveria propozoi një projektligj për ngritjen, e agjencisë të krijimit, mbajtjes dhe menaxhimit të rezervës minimale të karburanteve. Ky propozim kishte synim ngritjen e rezervave të sigurisë në raste emergjente siç konsiderohet sot kriza e shkaktuar nga lufta.

Sipas projektligjit çdo importues duhet të ketë në magazinë rezervë 90 ditë mesatare ditore neto ose të paktën 61 ditë të mesatares ditore të konsumit të brendshëm. Ky projektligj nuk është miratuar ende nga Kuvendi edhe pas tre vitesh.

Në fakt, Shqiëpria e ka të rregulluar përmes një VKM-je të miratuar në vititn 2004 rezervën e sigurisë prej 90 ditësh. Por akti nënligjor nuk arriti të mbrojë konsumatorin. Çmimet u rritën me shpejtësi pavarësisht se në treg ishin furnizimet e para-krizës, të siguruara me çmim më të ulët.

“Të ardhurat shtesë nga çmimet qeveria nuk i ka planifikuar në buxhetin e 2022 dhe një element mund të konsiderohet që qeveria të frenojë të ardhurat e mëtejshme, që tejkalojnë të ardhurat e planifikuara nga karburantet. Çdo rritje shtesë ta kthejë në forma të mirënjohura apo duke hequr taksë” u shpreh eksperti i ekonomisë, Elvin Meka./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme