Në pjesën e parë të dëshmisë së tij, në gjykimin e së mërkurës, duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtjes së Salih Mustafës, dëshmitari Brahim Mehmetaj ka rrëfyer për njësitin BIA si dhe gjendjen e krijuar në Prishtinë pas bombardimeve të NATO-s.
Fillimisht, dëshmitari Brahim Mehmetaj ka deklaruar se është e vërtetë se nga fundi i vitit 1988 i është bashkuar Lëvizjes për Republikën e Kosovës (LPRK).
Ai ka thënë se në atë kohë për shkak të specifikave dhe rrezikshmërisë përbërja ka qenë në formë prej tre anëtarësh, që sipas tij quhesh Këshill Popullor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Këshillat Popullorë kanë pas për detyrë përgatitjen e nevojshme për ndonjë situatë lufte nga okupatori dhe vetëdijesimin e qytetarëve se e vetmja zgjedhje për liri ka qenë lufta e armatosur”, ka thënë Mehmetaj.
Ai deklaroi se ishin nën okupim dhe jetohej në presion të madh, në një dhunë nga një shteti që realisht ushtronte çdo të keqe ndaj popullit shqiptar dhe ishte vullneti të bashkoheshin e punonin për të gjetur liri, për të arritur te liria sa më parë.
Sipas Mehmetaj, LPRK përbëhej nga persona të vullnetit të mirë për tu bashkuar rreth konceptit të organizimit për të arritur liri, nga vullnetarë prej djemsh e vajza të reja.
“Se si u zhvillua kjo organizatë nuk është në përgjegjësi time, kam qenë në këshill popullor në Prishtinë prej tre njerëzish, organizimin në nivel të organizatës nuk e kam pas të njohur në atë kohë”, tha ai.
Tutje, tha se ka ndodhur një ndarje në vitin 1993, ku është ndarë lëvizja dhe janë formuar dy organizata nga ajo, LPK dhe LPÇK, ku ai ka vazhduar të jetë pjesë e LPÇK -së.
Mehmetaj deklaroi se aq sa di ai, dallimi ka qenë që LPÇK vepronte në Kosovë, ndërsa LPK vepronte nga jashtë Kosovës.
“Ndoshta ka pas edhe diçka në Kosovë, por LPÇK i ka pasur strukturat në Kosovë, aq sa di unë”, ka thënë ky dëshmitar.
Tutje, dëshmitari Mehmetaj bëri të ditur se Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i është bashkuar qysh në themelimin e saj, në vitin 1989 apo 1990.
Në këtë parti, ai deklaroi se ka qenë kryetar i degës së rinisë për Prishtinë, anëtar kryesie në nivel të degës e deri në anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Ai tha se funksionimin njësiti BIA e ka pasur që nga dalja e Salih Mustafës nga burgu, ndërkaq tha se qëllimi kryesor ka qenë lufta ndaj armikut për çlirimin e vendit.
Sipas tij, në bazë të përgjegjësisë dhe kompetencës që ka pasur ky njësit nuk ka pasur përgjegjësi territoriale apo zonë të veçantë që e ka kontrolluar, ndërkaq tha se ka operuar pothuajse në Prishtinë, në gjithë qytetin dhe periferi të Prishtinës, në zona rurale e fshatra, si dhe se ka kontribuar në zona tjera, si në Obiliq.
“Koha kur vepronim ishte kohë me rreziqe të mëdha, Prishtina ishte në kontrollin dhe mbikëqyrjen e forcave paramilitare serbe, organizimi nuk ishte i lehtë. Ne e kemi bazu organizimin apo ofrimin e njerëzve që kemi pas besim, jemi nis nga familjet tona, shokët e miqtë që kanë pas bagazh patriotik. Duke bisedu, duke i bind se jemi në drejtim të drejtë, kemi fillu organizimin në njësite”, tha ai.
Tutje, tha se kryesisht njësitet i kanë bërë me familjarë dhe njerëz të besueshëm.
Dëshmitari Mehmetaj deklaroi se për një kohë të caktuar, të gjithë aktivitetin e kanë bërë nëpër shtëpitë e tyre.
“Një prej bazave të vendqëndrimit ka qenë shtëpia jem, ka qenë edhe e Calit, njerëzve të besueshëm, jemi taku, kemi bisedu. Fillimisht, kanë qenë shtëpitë tona”, tha ai.
Tutje, tha se pastaj kanë përdor edhe shtëpi të tjera që kanë qenë më të sigurta të qëndrojnë në to dhe shtëpi të personave që janë dakorduar me ta, të cilat i kanë marrë në shfrytëzim dhe përdor.
Ai tha se në këto shtëpi bisedohej, shtypeshin materiale e shkonin shokë të tyre që kanë qëndruar ilegal, kanë shkuar nga vendet tjera e nuk kanë mundur të lëvizin lirshëm. Për këto shtëpi, ai tha se kanë qenë multifunksionale për aktivitetin e tyre në atë kohë.
Sipas Mehmetaj, kanë qenë të kujdesshëm për shkak të rrezikut dhe disa persona kanë pas informacione për një shtëpi, disa nuk e kanë ditur e kanë qëndruar në ndonjë shtëpi tjetër dhe se kjo ka ndodhur për arsye sigurie.
Dëshmitari konfirmoi se ka qenë anëtar i njësitit BIA dhe se roli i tij ka qenë që nga themelimi zëvendëskomandant i Salih Mustafës apo ndihmës i tij, për një periudhë të caktuar deri kur e ka ndërruar detyrën.
Mehemtaj, duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtjes, bëri të ditur se në emërimin zyrtar të njësitit BIA, që ka ndodhur me 20 maj 1998, është themeluar shtabi, ku brenda tij janë themeluar katër sektorë për funksionim brenda njësitit.
Ato sektorë, sipas tij, ishin sektori i shëndetësisë, logjistikës, informacionet dhe ai për moral dhe politik.
Ai tha se në rrethanat e atëhershme, kushtet e jetesës ishin mizerje te popullata për shkak se okupatori ka futur duart edhe në shëndetësi dhe ndalur humanizmin që i takon ta ketë çdo njeri në këtë botë, si dhe kishte ndaluar që qytetarët të shfrytëzonin institucionet e shëndetësisë.
“Biseduam me doktoreshën Florë Brovina dhe në fillim kemi bo disa qendra shëndetësore ku janë shëruar njerëzit që kanë pas nevojë, janë trajtu njerëzit e plagosur gjatë luftës”, tha ai.
Roli tjetër i sektorit të shëndetësisë, ai tha se ishte edhe furnizimi me medikamente. “Flora Brovina ka qenë jashtëzakonisht në këtë drejtim e angazhuar”, tha Mehmetaj.
Dëshmitari ka thënë se sektori i logjistikës më shumë ka pasur aspektin humanitar dhe nevojës për ekzistencë.
“Në atë kohë ka pas të zhvendosur nga zonat e luftës që kanë ardh në Prishtinë, kanë gjetë strehë, por kanë pasur mungesë ushqimi, veshmbathje, batanije, dhe në atë drejtim kemi kontribu. Në anën tjetër duke pas parasysh nevojat për furnizim, njësitet dhe gjithë ushtarët në atë kohë, janë ndihmu brigadat pasi Prishtina ka qenë burim furnizimi në atë kohë derisa nuk kanë ndodh bombardimet”, tha ai.
Kurse, për sektorin për informacion tha se kishte qëllim grumbullimin e informacionit, me qëllim të njoftimit të qytetarëve, të ushtarëve, të strukturave të UÇK-së për lëvizjet e armikut dhe organizatave tjera ndërkombëtare për dhunën që ndodhte në Prishtinë.
“Ka qenë koordinim legalo-ilegal në këtë drejtim. Informacionet janë dërgu edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Por, edhe në aspektin ushtarak janë bërë njoftime për lëvizjet e armikut”, tha ai.
Sipas Mehmetajt, e di që njëherë ka ndodhur që kanë marrë detyrë nga komandanti Cali që të regjistrojnë të gjitha kazermat brenda Prishtinës, ku ka pasur xhirime me kamerë, skica dhe përshkrime dhe atë raport e ka kërkuar shtabi i zonës operative të Llapit.
“Ne e kemi dërguar raportin te Cali, Cali e ka përcjell në shtab të zonës”, tha Mehmetaj.
Lidhur me njësinë për moral dhe politik, ai tha se ky sektor deri me fillimin e bombardimeve, ka pasur kontakte me pjesëtarët e njësiteve të saj me qëllim të vetëdijesimit të tyre që lufta është e vetmja zgjedhje dhe se do të fitojnë.
Ai tha se janë munduar që të ndalin propagandën serbe që të mos krijohet pasiguri në veprim dhe punë, e se kanë mbajtur moralin te ushtarët se lufta është e drejtë, e pastër dhe se UÇK do të fitoj.
Sipas tij, një numër i madh i anëtarëve të BIA-s kanë qëndruar në qytet dhe se kanë mundur të kenë ndonjë armë për mbrojtje personale, por jo ndonjë punë tjetër.
“Unë vet kam qenë i armatosur”, tha Mehmetaj.
I pyetur nga mbrojtja se kush ua ka dhënë armët, ai deklaroi se armën e tij e ka blerë vet personalisht, kurse tha se për tjerët i kanë blerë.
“Ka qenë e vështirë mi pru prej Shqipnisë, se distanca e largët dhe pasiguria e madhe, por kanë ardhë edhe prej atje. Njerëzit kanë nxjerrë prej shpijave, ata që nuk kanë dashtë me luftu, i kanë pru te na. Ka qenë vijë e furnizimit prej Serbisë diku që disa njerëz i kanë ble armët dhe pru te na. Prej Novi Pazarit nëse nuk gaboj”, tha ai.
Mehmetaj ka thënë se gjithë organizimi i UÇK-së e ka pasur një emër, ushtar lirie.
“Disa kanë pas armë, disa nuk kanë pas armë, por të gjithë kanë qenë ushtar lirie për çlirimin e vendit nga një okupator shumë i keq”, tha dëshmitari.
Pas bombardimeve të NATO-s, tha se disa nga njësitet që kishin në Prishtinë, janë detyruar të tërhiqen në periferi të Prishtinës në vende më të sigurta, kurse një pjesë qëndroi në Prishtinë, por jo për gjatë pasi forcat serbe filluan bastisjet dhe ofensivën dhe u detyruan të futen në kolona edhe ata.
“Funksionuam pak më ndryshe sepse u imponuan rrethanat”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, tha se nuk ka jetuar me familjen në atë kohë, por i ka takuar kohë pas kohe, pasi ata jetuan në Prishtinë apo periferi të Prishtinës.
Kurse, tha se ai vet në atë kohë ka jetuar ku ka mundur. Sipas tij, pjesa që më shumë e ka frekuentuar ka qenë Butovci në periferi të Prishtinës dhe se ka qëndruar edhe në lagje të Prishtinës, në Sofali.
Dëshmitari tha se javën e fundit të marsit në Prishtinë, në vitin 1999, kur kanë filluar bombardimet më 24 mars ka qenë në Prishtinë.
“Ka qenë emocion i përzimë sepse qytetarët e kanë përjetu mirë fillimin e bombardimeve por kanë përjetu frikë të madhe se çka po ndodhë. Në Prishtinë me disa anëtar të njësitit jemi kujdes me i qëndru pranë popullatës në rast se fillon ndonjë masakër apo dhunë, që ka qenë e mundur me ardhë prej serbëve dhe na me i dal ballë asaj”, ka thënë ai.
Sipas tij, me sa më kujtohet kanë qëndruar deri më 31 mars.
“Kur kanë fillu me hy forcat serbe por jo me bo masakër, kanë fillu me i hek njerëzit prej shtëpie dhe me i zhvendos. Kemi ec bashkë me popullatën dhe e kemi çu në Butovc. Disa kanë shku edhe në Mramor”, tha ai.
Tutje, tha se ai me qëllim është kthyer në Prishtinë.
Sipas tij, në festën e bajramit, forcat serbe, ushtarë paramilitar e polic, në tri anë kanë filluar me numër të madh të forcave me ec drejt shtëpive dhe t’i largojnë shqiptarët e se njerëzit në panik kanë filluar të ecnin.
Dëshmitari ka thënë se serbët kanë djegur tre shtëpi e kanë plaçkitur shtëpitë. Ndërkaq, po atë ditë, tha se njerëzit kanë ikur nga frika, presioni e dhuna, e se ka qenë ideja e okupatorit që t’i largojë shqiptarët nga Kosova, e atë ditë specifikisht nga Prishtina.
Atë kohë, ai tha se hyrjet e daljet nga Prishtina janë bërë më të vështira.
“Megjithatë, ne kemi hyrë dhe kemi dalë”, tha Mehmetaj.
Sipas tij, në momentin që ka parë që gjithë qytetarët shkuan dhe janë në rregull, është kthyer në shtëpi me një ushtar.
“Jam kthy në shtëpinë time dhe kam pas kompjuterin në atë kohë me të cilin kemi punu materiale të ndryshme dhe jam kthy me marr hard-diskun sepse jam tut futen policët aty me marr hard-diskun dhe ka pas aty emra tonë e familjeve tona dhe ishin rreziku familjet tona”, tha ai.
Sipas tij, e ka marrë hard-diskun nga kompjuteri dhe ka vazhduar te një shtëpi tjetër, te ajo e Këshillit Komunal për Ndihma Emergjente, që kishte qenë e paprekur.
“Kur jam fut brenda e kam pa që ka material, ushqime e gjëra tjera, nuk i kishin prek serbët as ato, kam qëndru një kohë aty, pastaj kam vazhdu, kam fjet me një shtëpi tjetër, jam kthy prapë me pa çfarë ka prej ushqimeve që na kryejnë punë dhe jam kthy në Butvoc, kam njoftu njësitet se në këtë lokacion, ka ujë, miell, ka batanije dhe me u organizu qysh me u furnizu”, tha Mehmetaj.
Ai tha se në atë lagje më lartë ka qenë organizata “Nënë Tereza” që ka pasur depo për furnizim për qytetarë, e tha se nga dy lokacionet janë marrë këto ushqime e gjëra të tjera dhe janë ndihmuar qytetarët.
Për periudhën pas datës 31 mars, dëshmitari Mehmetaj, për javën e parë të prillit 1998, tha se në momentin kur është kthyer në Butovc nga Prishtina kanë qenë dy apo tre ditë e para të muajit prill.
Dëshmitari tha se kishte biseduar më gjerë me të akuzuarin Mustafa për punë që i takonin asaj kohe të bënin.
Sipas tij, Salih Mustafa kishte kërkuar nga ai që të mbante moralin e ushtarëve dhe të sigurohej informacion se çka ka ndodhur me familjet e tyre, e po ashtu të grumbulloheshin edhe informacione lidhur me sulme që mund të kenë, që sipas tij, ishin tema të zakonta për atë kohë.
Ai tha se ka fjetur në Butovc dhe familja e tij tha se kishte qëndruar në një shtëpi atje, ku kishte shkuar dhe i kishte vizituar, por se kryesisht kishte qëndruar në Butovc në vendin që kanë pasur si guerrilë BIA.
Mehmetaj deklaroi se sa i kujtohet më 31 mars është kthyer në Prishtinë, ka qëndruar dy-tre ditë, dhe se nga 3-4 deri në datën 7 ka qëndruar në Butovc e se këtë periudhë ka qëndruar edhe me Salih Mustafën e të tjerë.
Sipas tij, edhe në Butovc ka pasur civilë, që kanë kërkuar ndihmë e se ishin e vetmja shpresë në atë kohë për popullin që jetonte në Kosovë.
Dëshmitari deklaroi se edhe Salih Mustafa flinte në Butovc.
“Bile ka ndodh, e di saktë, nja dy netë i kemi bërë bashkë aty”, ka thënë ky dëshmitar.
I pyetur sa shpesh e ka parë Salih Mustafën gjatë kësaj periudhe kohore, tha se nuk i kujtohet me numër, por se e ka parë shpesh gjatë kësaj periudhe kohore.
Ai tha se në Butvoc kanë qëndruar në familjen Sopi që ka pasur tre shtëpi e në familjen Reçica që kanë pasur katër shtëpi.
“Butovci ishte vend i afërt me Prishtinën dhe aty qëndronin ushtar, nuk e di me numër i madh apo i vogël, por qëndronin një numër i ushtarëve”, tha ai, duke shtuar se të njëjtit futeshin edhe në Prishtinë.
Ai tha se mbi 30-40 mijë njerëz janë vendosur në Butovc dhe Mramor ato ditë që janë larguar nga Prishtina.
Në Zllash tha se i kujtohet ka shkuar me Flora Brovinën dhe se kanë dërguar materiale, ushqim, për nevojat që ka pasur atje, ku tha se kanë qëndruar derisa kanë lënë materialet, e më pas është kthyer në Prishtinë së bashku me Brovinën.
“Për rrethana sigurie nuk qëndruam më gjatë, sepse ra terri. Shkuam i lamë ato gjëra dhe u kthyem”, tha Mehmetaj, duke shtuar se ndihmat kanë qenë të dedikuara për brigadën 153 dhe se i kishte pritur Rrahman Dini dhe Fatmir Sopi, të cilëve ua kishin dhënë ato ndihma.
Ai tha se sa i kujtohet kanë qenë një shtëpi dy katëshe, ku e kanë kaluar shtëpinë e Fatmir Sopit dhe ka qenë pak më larg kjo shtëpi.
Herën e dytë, tha se ka shkuar të shoh Isa Kastratin që tani është dëshmor i kombit, i cili kishte qenë edhe i burgosur politik.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...