Google ADS

Kosova vendos sanksione të reja ndaj Rusisë e Bjellorusisë

11:27 | 23 Mars 2022
S D

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 67-të, ka vendosur për sanksione të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, raporton arbresh.info.

Kryeministri Albin Kurti njoftoi se këto masa janë në  përputhje me pakon e katërt të sanksioneve ndaj këtyre dy shteteve nga ShBA-të, BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

“Në vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë me ShBA-të, BE-në edhe partnerët e tjerë, Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë propozuar vendimin për zbatimin e të gjitha sanksioneve ekonomike dhe financiare të përcaktuara nga BE-ja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Përmes këtij vendimi qeveria jonë do të vazhdojë të rreshtohet me partnerët në zbatimin e sanksioneve dhe masave përfshire edhe pakon e katërt të sanksioneve të BE-së”, tha Kurti.

Kurti po ashtu tha se këto masa janë ekonomike, tregtare dhe financiare.

“Kjo pako konsiston në masa restriktive tregtare, ekonomike, financiare,  energjetike, industri të mbrojtjes si dhe ndaj individëve dhe entiteteve të tjera”, ka thënë  më tutje Kurti.

Tutje ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se të gjitha sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë janë vendosur në koordinim të plotë me ShBA-të, BE-në dhe partnerët e tjerë.

“Sanksionet e zgjeruara përfshijnë ngrirje të asesteve bankare, institucione financiare dhe individë, ndalimin e qasjes së tyre në tregjet financiare, ndalimin e transmetimit të mediave propagandueses, materiale të ndryshme që mund të përdoren për makineri të luftës, restrikcione Bjellorusisë për ndalimin e importit të mallrave teknologjike si përgjigje e mbështetjes së luftës si kundërpërgjigjet e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë dhe masa të tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politik të përfshirë në invazionin rusë në Ukrainë”, ka thënë ajo.

Gërvalla tha se  marrja e këtij vendimi do të kontribuonte në paqen dhe sigurinë botërore./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme