Miqësorja ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës po afron dhe emocionet dhe adrenalina sa vjen e rritet.
Kjo konsiderohet si një ndeshje mjaft e veçantë për shqiptarët, e pse jo edhe për zviceranët.
Kjo për faktin se tek “Helvetikët” luajnë disa futbollistë shqiptarë, e në ndërkohë tek “Dardanët” luajnë disa lojtarë që janë lindur e rritur në Zvicër.
Për këtë arsye, kjo përballje shihet si speciale, jo vetëm nga protagonistët në fushë.
Një ndjenjë të tillë e ka edhe Milaim Rama.
Ish-futbollisti i njohur kosovar ishte shqiptari i parë që kishte luajtur për Kombëtaren e Zvicrës.
Gjithashtu, si ishte bërë edhe shqiptari i parë që kishte marrë pjesë në një Kampionat Evropian kur ishte paraqitur me “Helvetikët” në “Euro 2004” në Portugali.
Sipas tij, lojtarët e të dyja ekipeve kombëtare duhet ta shijojnë në maksimum këtë ndeshje aspak të zakontë, ku rezultati natyrisht se do të dalë në plan të dytë.
“Unë mendoj që kjo lojë duhet të jetë më e veçantë se të tjerat. Arsyeja është se Zvicra ka dhënë lojtarë të shumtë për Kosovën dhe ndërkohë kemi shqiptarë që luajnë në Kombëtaren zvicerane. Kjo lojë po pritet me padurim nga adhuruesit e futbollit pasi kjo është hera e parë që këto dy Kombëtare do të ballafaqohen në mes vete”, deklaroi fillimisht Rama në një bisedë me “Gazetën Express”.
“Lojtarët shqiptarë të Zvicrës do të kenë ndjenja të papërshkrueshme, e kam provuar edhe vetë”
Tek Zvicra janë ftuar tre futbollistë shqiptarë, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Andi Zeqiri.
Sipas Ramës, kjo do të jetë ndoshta ndeshja më e veçantë e jetës së tyre.
Një ndjesi të tillë e ka provuar edhe ai vetë.
“Sigurisht, do të jetë një lojë e pazakontë dhe shumë speciale pasi në këtë rast do të luash kundër vendit tënd, ku rrënjët e prindërve janë nga Kosova. Dhe, sot do të përballesh në një ndeshje miqësore me të. Lojtarët shqiptarë të Zvicrës do të kenë emocione të papërshkrueshme. Edhe unë kam përjetuar kësi emocione në vitin 2003 ku në Gjenevë isha lojtar i Kombëtares së Zvicrës dhe në anën tjetër e kisha Kombëtaren shqiptare”, thotë tutje Rama.
“I falënderoj të gjithë për mbështetjen që ma kanë dhënë”
Natyrisht, me padurim lojën po e pret edhe vetë 46 vjeçari, i cili ka lidhje të ngushtë shpirtërore dhe fizike me të dyja vendet.
“Unë kam qenë lojtar i Kombëtares zvicerane e me prejardhje nga Kosova. Edhe për mua do të jetë një lojë me emocione. Por, do ta shijoj me kënaqësi. Ndihem shumë krenar për atë emocion që e kam shijuar dhe jam falënderues ndaj prindërve të mi dhe të gjithë familjes sime dhe bashkatdhetarëve, të cilët nuk më kanë lënë vetëm asnjëherë. Më kanë përkrahur dhe më kanë mbështetur në Zvicër e gjithandej ku ka shqiptarë, në Kosovë, në Shqipëri, në Iliridë dhe në Kosovën Lindore. U jam mirënjohës dhe falënderues”, shton ish-futbollisti i Thunit, i cili e kishte provuar një eksperiencë edhe në futbollin elitar gjerman tek Augsburgu.
Rama preferon që loja të mbyllet në barazim
Por, për cilën Kombëtare do të bëjë tifo Milaim Rama?
“Të jem i sinqertë, le të luhet një lojë miqësore dhe le të kënaqën tifozët në tribuna. Që të jem edhe unë i kënaqur, do ta preferoja një barazim 2:2”, shprehet tutje ai.
Vajza e Ramës luan për Kosovën, ai ndihet krenar
Atë që nuk ka mundur ta bënte vetë, shkaku i rrethanave të asaj kohe, Milaim Rama e ka përcjellë tek vajza e tij.
Alketa Rama, e lindur dhe e rritur në Zvicër, i ka thënë “Po” Kosovës dhe për këtë ndihet mjaft i lumtur ish-sulmuesi i rrezikshëm kosovar.
“Vajza ime Alketa Rama po i mbron me krenari ngjyrat e Kombëtares së Kosovës (Vajzat) (-19 dhe për këtë ndihem shumë krenar, unë dhe familja ime Rama”, tregon ish-futbollisti kosovar për “Gazetën Express”.
Natyrisht, ky është një shembull që duhet ta ndjekin edhe futbollistët e lindur dhe rritur jashtë, të cilët po hezitojnë t’i bashkohen Kosovës.
“Kosova mund të kualifikohet në Evropian ose në Botëror”
Kosova së fundmi u bë me selektor të ri, duke e emëruar francezin Alain Giresse.
“Dardanët” synojnë që me trajnerin e ri ta gjejnë formën e dikurshme dhe të mundohen të arrijnë rezultate kulminante.
Për këtë, optimist është edhe vetë ish-përfaqësuesi zviceran.
“Unë mendoj që Kombëtarja e Kosovës në një të ardhme jo dhe aq të largët, por brenda disa vitesh, do të kualifikohet në një kompeticion evropian apo botëror. Kjo kishte me qenë një arritje e madhe për futbollin kosovar. Kur munden vendet tjera, pse jo edhe Kosova? Kemi shumë futbollistë cilësorë në të gjitha ligat evropiane”, përfundoi Milaim Rama.
Kosova do të përballet me Zvicrën më 29 mars në një ndeshje miqësore mjaft speciale.
Ndërsa, paraprakisht nesër mbrëma do ta presë Burkina Fason në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një tjetër miqësore të këtij muaji. /Gazeta Express/
Barcelona është e gatshme të përfshijë një lojtar plus para ...
I uroi fitoren, Trump deklaron se do të flasë me Putin
Çfarë po paralajmërojnë Bay T dhe Fero?
Policia shqiptoi 1 mijë e 763 gjoba brenda një jave në Gjila...
Analiza e DW/ Samiti i Komunitetit Politik Evropian, nën hij...
Aleatët e Harris fajësojnë Presidentin Biden për humbjen e s...