Shfaqja e mijëra të huajve vullnetarë që luftojnë për Ukrainën kundër forcave ruse ka marrë reagime shumë të ndryshme nga qeveritë e vendeve të tyre. Disa prej tyre janë edhe nga vetë Rusia dhe aleatja e saj Bjellorusia.
Tre kategoritë kryesore të reagimeve të indentifikuara nga Zëri i Amerikës janë: qeveritë perëndimore që u japin miratimin e nënkuptuar apo të hapur shtetasve të tyre për të ndihmuar Ukrainën të vetëmbrohet; qeveritë aziatike që urdhërojnë shtetasit e tyre të mos bëhen pjesë e luftimeve; si dhe autoritetet ruse dhe bjelloruse që kanë denoncuar shtetasit e tyre që luftojnë përkrah Ukrainës dhe i kanë kërcënuar me ndëshkime të rënda.
Në vlerësimin e saj më të fundit, ministria e jashtme ukrainase tha në 6 mars se “rreth 2 mijë veteranë (ushtarakë) dhe vullnetarë” kanë aplikuar për t’u anëtarësuar në Legjionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Ukrainës. Zyrtarët ukrainas nuk kanë thënë se sa prej këtyre aplikantëve ndodhen brenda vendit, por ministria ukrainase e mbrojtjes tha se personat që kishin mbërritur deri më 11 mars kishin qenë nga mbi 50 vende.
Një faqe në internet e qeverisë ukrainase ka identifikuar tetë nga këto vende: Britania, Kanadaja, Kroacia, Danimarka, Izraeli, Letonia, Hollanda dhe Polonia.
Një zyrtar i ambasadës së Ukrainës në Uashington i tha Zërit të Amerikës më herët këtë muaj se 3 mijë amerikanë janë ndër aplikantët për legjionin ndërkombëtar. Zyrtari tha se shumica e të tjerëve ishin nga vende ish-sovjetike, si Gjeorgjia dhe Bjellorusia.
Zëri i Amerikës nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur përmasat e legjionit apo përbërjen e tij.
Njoftime të shumta kanë bërë të ditur se një numër i pacaktuar të huajsh që kërkojnë të luftojnë përkrah forcave ukrainase, kanë hyrë brenda vendit pa ndjekur procedurat për t’u bërë pjesë e këtij legjioni.
Ndër luftëtarët pro-Ukrainës të përfshirë në luftime ka edhe shtetas rusë dhe bjellorusë që kanë ndihmuar prej vitesh për mbrojtjen e Ukrainës.
Ndër ta ka luftëtarë të mërguar nga republika ruse e Çeçenisë, të cilët e kanë kundërshtuar Moskën që nga momenti kur shkatërroi fushatën e tyre separatiste në Çeçeni, pas dy luftërave të viteve 1990 dhe 2000.
Luftëtarët çeçenë kanë qenë në Ukrainë që nga viti 2014, duke u rezistuar forcave ruse dhe separatistëve pro-rusë në rajonin ukrainas Donbas, thotë udhëheqësi separatist çeçen me rezidencë në Britani, Akhmed Zakayev. Luftëtarët çeçenë nuk e kanë bërë të ditur se sa janë në radhët e tyre.
Luftëtarë bjellorusë të mërguar që kundërshtojnë Rusinë dhe aleatin e saj të hershëm, Presidentin Alexander Lukashenko, kanë qenë gjithashtu aktivë për mbrojtjen e Ukrainës që nga viti 2014, sipas gazetës së pavarur bjelloruse “Nasha Niva”.
Më herët këtë muaj, luftëtarët – batalioni i të cilëve ka marrë emrin e nacionalistit bjellorus të shekullit të 19-të Kastus Kalinouski – publikuan pamje në kanalin @belwarrior në Telegram, ku shfaqen duke ndihmuar aleatët ukrainas gjatë luftës së tanishme. Udhëheqësja opozitare bjelloruse e mërguar në Lituani, Sviatlana Tsikhanouskaya, qarkulloi më 13 mars një video në Twitter të këtij batalioni.
Qeveria ruse i ka quajtur terroristë prej vitesh luftëtarët çeçenë pro-Ukrainës. Gjatë javëve të fundit, udhëheqësi çeçen i emëruar nga Moska, Ramzan Kadyrov, ka shfrytëzuar rrjetin Telegram dhe daljet në televizion për të paralajmëruar çeçenët pro-Ukrainës se janë “tradhëtarë” dhe se forcat e tij në Ukrainë do t’i gjurmojnë, do t’i vrasin dhe do të ndëshkojnë familjarët e tyre.
Megjithëse Presidenti bjellorus Lukashenko nuk ka kërcënuar publikisht me dhunë luftëtarët bjellorusë që mbrojnë Ukrainën, ai shfrytëzoi një takim më 15 mars të shefave të tij të sigurisë, për t’i quajtur “të çmendur” dhe i akuzoi se luftojnë vetëm për para.
Ministra e jashtme bjelloruse nuk iu përgjigj një mesazhi email të Zërit të Amerikës ku shtrohej pyetja nëse luftëtarët bjellorusë pro-Ukrainës do të përballeshin me ndëshkime nëse ktheheshin ndonjëherë në Bjellorusi.
Në dallim nga Rusia dhe Bjellorusia, Gjeorgjia ka qenë relativisht e heshtur për sa i përket prezencës disa vjeçare në Ukrainë të disa prej qytetarëve të saj, të cilët kanë qenë pjesë e një legjioni pro-Kievit. Qeveria gjeorgjiane nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar rreth qëndrimit të saj për legjionin që i është bashkuar luftës së Ukrainës ndaj sulmit të tanishëm të Rusisë. Dy rajone të Gjeorgjisë u pushtuan nga forca ruse gjatë një lufte të vitit 2008.
Ish-oficeri ushtarak gjeorgjian Mamuka Mamulashvili themeloi legjionin në vitin 2014 për të ndihmuar Ukrainën të luftojë pushtimin rus të Donbasit atë vit. Ai i tha gazetës britanike The Independent në fillim të këtij muaji se ai priste qindra rekrutë të rinj, përfshirë rreth 400 gjeorgjianë, 100 britanikë dhe 50 amerikanë.
Përfshirja e legjionit në Ukrainë ka intensifikuar një mosmarrëveshje midis qeverisë së Gjeorgjisë dhe opozitës rreth asaj se sa Tbilisi duhet të mbështesë Kievin për t’i rezistuar pushtimit rus.
Megjithatë, disa vende të tjera në Azi kanë qenë të qarta në kundërshtimin e tyre ndaj qytetarëve të tyre që luftojnë në Ukrainë.
Ministria e Drejtësisë së Uzbekistanit publikoi një paralajmërim më 28 shkurt në aplikacionin e mediave sociale Telegram, katër ditë pasi Rusia filloi pushtimin, duke thënë se çdo shtetas uzbek që regjistrohet në një ushtri të huaj ose shërbim sigurie mund të kryejë një vepër penale të dënueshme deri në pesë vjet burg.
Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mahmood Qureshi, duke iu përgjigjur këtë muaj një pyetjeje të Shërbimit Urdu të Zërit të Amerikës, tha se Islamabadi “nuk dëshiron që asnjë pakistanez të përfshihet” në të dyja anët e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Përgjigje të tilla janë tipike për kombet aziatike ku qytetarët kanë lidhje të rëndësishme si me Rusinë ashtu edhe me Perëndimin dhe mund të jenë të motivuar për të luftuar për palën ruse ose ukrainase, tha historiani dhe studiuesi ligjor kanadez Tyler Wentzell nga Universiteti i Torontos në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Të thuash ‘askush nuk mund të luftojë në asnjërën anë të këtij konflikti [të huaj]’ ka të ngjarë të jetë një politikë që do ta shihni në një vend ku pjesëmarrja e qytetarëve në njërën anë të një konflikti ose në anën tjetër duhet të ndalohet për të shmangur që qytetarët të përfundojnë duke luftuar me njëri-tjetrin dhe duke përkeqësuar kështu ndasitë në atdhe”, tha ai.
Në rastin e Uzbekistanit, ish-ambasadori i SHBA-së në vendin e Azisë Qendrore dhe analisti i organizatës Këshilli Atlantik, John Herbst tha se theksi i tij publik mbi një ligj kundër luftimit për qeveritë e huaja është pjesë e dëshirës tradicionale të Uzbekistanit për të mbajtur nën kontroll çështjet e sigurisë.
“Është frika e qytetarëve uzbekë [në Ukrainë] që marrin vendime me implikime gjeopolitike që mund të komplikojnë politikën e jashtme të Uzbekistanit dhe frika se çfarë mund të ndodhë pasi ata të kthehen në Uzbekistan”, tha zoti Herbst.
Vendet perëndimore kanë gjithashtu ligje që ua ndalojnë qytetarëve radhitjen me disa ushtri të huaja që mund të tërheqin qeveritë e tyre në mënyrë të pavullnetshme në konflikte të huaja. Por zyrtarët ose kanë heshtur për zbatimin e ligjeve të tilla për qytetarët që kërkojnë të mbrojnë Ukrainën, ose kanë dhënë mesazhe të përziera për këtë çështje, ose kanë inkurajuar në mënyrë të hapur qytetarët që t’i bashkohen luftës kundër forcave ruse.
Administrata e Presidentit Biden i ka dekurajuar amerikanët nga dalja vullnetarë për të luftuar për Ukrainën. Por, ajo nuk ka bërë asnjë paralajmërim publik për vullnetarë të tillë se rrezikojnë ndjekjen penale ose ndëshkime në Shtetet e Bashkuara.
Sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby, u tha gazetarëve në fillim të këtij muaji se nëse amerikanët duan të ndihmojnë Ukrainën, ata duhet të dhurojnë për agjencitë e ndihmave.
“Ende nuk besojmë se Ukraina është një vend i sigurt për amerikanët. Ne u bëjmë atyre thirrje të mos shkojnë”, tha ai.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë thënë nëse ata do të ndërmarrin veprime sipas Aktit të Neutralitetit kundër amerikanëve që injorojnë këtë këshillë. Ligji përcakton gjoba ose burgim për çdo shtetas amerikan i cili, brenda juridiksionit të Shteteve të Bashkuara, “pranon dhe ushtron një komision [pagesë]” për t’i shërbyer një vendi tjetër në një luftë kundër çdo subjekti të huaj me të cilin Shtetet e Bashkuara janë në paqe.
Në një shkrim të 15 marsit për forumin amerikan në internet Just Security, profesori i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos, Dakota Rudesill tha se amerikanët që i bashkohen luftës së Ukrainës kundër pushtuesve rusë rrezikojnë të shkelin Aktin e Neutralitetit sepse Shtetet e Bashkuara janë në një gjendje paqeje me Moskën, megjithëse të tensionuar. Por zoti Rudesill vuri në dukje se ligji ka terma të paqarta, për shembull, duke mos trajtuar rastin nëse amerikanët mund të luftojnë për një vend tjetër pa u paguar. Ai gjithashtu tha se nuk është zbatuar vazhdimisht.
Kanadaja, vendi me komunitetin e tretë më të madh ukrainas në botë pas Ukrainës dhe Rusisë, ka qenë më pak e paqartë se Shtetet e Bashkuara në qasjen e saj ndaj çështjes. Në një konferencë shtypi të 27 shkurtit, ministrja e jashtme kanadeze Mélanie Joly shprehu mirëkuptimin për kanadezët me origjinë ukrainase që marrin një “vendim individual” për të mbrojtur Ukrainën.
“Më lejoni të jem e qartë: ne të gjithë jemi shumë mbështetës për çdo formë të mbështetjes për ukrainasit tani”, tha ajo.
Zyrtarët kanadezë nuk kanë përmendur zbatimin e një ligji për regjistrimin e huaj ushtarak që e bën shkelje për qytetarët të bashkohen me forcat e armatosura të një vendi në luftë me një shtet tjetër “miqësor” ndaj Otavës.
“Ne nuk jemi miqësorë me Rusinë”, tha zoti Wentzell i Universitetit të Torontos. “Kështu që unë nuk mendoj se qeveria kanadeze do ta përdorë këtë ligj kundër kanadezëve që dalin vullnetarë për të mbrojtur Ukrainën”, tha ai.
Zyra e Jashtme e Britanisë i këshilloi qytetarët e saj më 9 mars se “nëse udhëtoni në Ukrainë për të luftuar ose për të ndihmuar të tjerët të përfshirë në konflikt, aktivitetet tuaja mund të përbëjnë shkelje kundër legjislacionit të Mbretërisë së Bashkuar dhe ju mund të ndiqeni penalisht pas kthimit tuaj”.
Por në një raport të botuar në të njëjtën ditë, BBC-ja tha se shumë nga qindra ish-ushtarë britanikë që shprehën dëshirën për të mbrojtur Ukrainën i kishin thënë gazetës britanike të lajmeve se po merrnin mesazhe të përziera nga qeveria nëse duhet ta bënin këtë. Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss i kishte thënë BBC-së në një intervistë më 27 shkurt se ajo do të mbështeste “absolutisht” qytetarët britanikë që shkojnë në Ukrainë për të luftuar “nëse kjo është ajo që ata duan të bëjnë”.
Letonia, një shtet ish-sovjetik në kufi me Rusinë dhe një anëtar i aleancës së NATO-s të vendeve perëndimore, ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të Evropës për qytetarët që duan të luftojnë për mbrojtjen e Ukrainës. Parlamenti i saj miratoi një ligj më 28 shkurt që i lejon letonezët ta bëjnë këtë.
Agjensia e lajmeve Reuters citoi ligjvënësin letonez Juris Rancanis, që udhëhoqi hartimin e projektligjit, të ketë thënë: “Qytetarët tanë që duan të mbështesin Ukrainën dhe dalin vullnetarë të shërbejnë atje për të mbrojtur pavarësinë e Ukrainës dhe sigurinë tonë të përbashkët, duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë”.
Një arsye pse qeveritë perëndimore nuk i kanë ndaluar pa mëdyshje qytetarët e tyre që të luftojnë kundër rusëve, siç kanë bërë disa në Azi, është se popullsia e atyre kombeve perëndimore mbështet në masë të madhe popullin ukrainas, tha zoti Wentzell.
“Do të ketë xhepa njerëzish në Perëndim që mbështesin politikën ruse, por ata do të jenë pakicë. Dhe në pjesën më të madhe, ata do të qëndrojnë të heshtur ose nuk do të bien në sy”, tha ai./VoA/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...