Google ADS

Kurti: Si mund të flitet me një Serbi të rreshtuar në krah me Rusinë?

21:59 | 22 Mars 2022
L G

Kryeministri Albin Kurti, tha se është i gatshëm për takime në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, nëse Borrell dhe Lajçak e thërrasin për takim të radhës.

“Por nuk di se si do ta presin ata (Borell e Lajçak) një Serbi të tillë të rreshtuar në krah me Rusinë. Destruktiviteti i Serbisë është shumë i madh, në njërën anë kërkojnë të drejta të tepruara për serbët në Kosovë, ndërsa shqiptarëve në Serbi ua mohojnë të drejtat elementare”, tha ai.

Sipas kreut të qeverisë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe më shumë po përmendet nga gazetarët këtu në Kosovë, se sa po përmendet nga zyrtarët e Beogradit. “Më bëhet pyetje disi e sforcuar por ajo nuk e ka kaluar rezolutën, Gjykata Kushtetuese e ka çmontuar atë”, ka theksuar kryeministri.

Kurti ka folur edhe për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në .“Ne kemi nevojë për forcim të bashkëpunim bilateral, nuk kam nevojë të shkoj atje të shoh për dialogun mes Kosovës e Serbisë, por për përforcimin e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës e SHBA-së”.

“Sekretari amerikan Antony Blinken ka deklaruar se është për një Kosovë të pavarur e sovrane, pikë! Ne duhet ta duam Kosovën sa duhet vetë jeta”, tha ai.

Kompromisi, thotë Kurti, ka ndodhur në të kaluarën dhe tani kemi në qendër njohjen reciproke, “Nuk ka më gjë tjetër dhe pikë. Pse do të duhej të flasim për kompromise në vend se të flasim për njohje reciproke? Biden flet për njohje reciproke, ne çfarë po kërkojmë tjetër”, ka theksuar Kurti në RTK.

Të ngjashme