Google ADS

Forcat ukrainase rimarrin nën kontroll një zonë periferike të Kievit

20:26 | 22 Mars 2022
KRG

Ukraina njofton se ka rimarrë nën kontroll një lagje periferike të Kievit, ndërsa forcat ruse po shtrëngojnë rrethimin e kryeqytetit. Shpërthime, të shtëna dhe një shtëllungë e madhe tymi i zi është parë në rajonet veriore të Kievit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, forcat ruse u detyruan të tërhiqen nga qyteza Mkariv, gjë që u krijoi mundësi forcave ukrainase të rimarrin kontrollin e një rruge të rëndësishme dhe të mos lejojnë rrethimin e Kievit nga veri-perëndimi.

Por sipas ministrisë, forcat ruse në afërsi të Kievit, kanë marrë pjesërisht nën kontroll disa lagje të tjera në veri-perëndim si Bucha, Hostomel dhe Irpin, zona që kanë qënë nën sulmin rus që kur filloi agresioni gati një muaj më parë.

Forcat ruse kanë intensifikuar rrethimin e Mariuploit, në jug të Ukrainës, pasi forcat që mbrojnë qytetin, nuk pranuan të dorëzohen. Qytetarë që arrijnë të largohen përshkruajnë skena bombardimesh të vazhdueshme, me trupa viktimash të shumta të shtrira nëpër rrugë.

Por ofensiva e Kremlinit në pjesë të tjera të vendit po ecën shumë ngadalë, ose ka ngecur, për shkak të qëndresës së ukrainasve.

Deri tani rreth 10 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre, një shifër e barabartë me popullsinë e gjithë Portugalisë, ose një e katërta e popullsisë së Ukrainës.

Sipas OKB-së, janë konfirmuar mbi 900 viktima civile, ndonëse shifra mendohet të jetë shumë më e lartë. Vlerësimet për humbjet e forcave ruse janë të paqarta, por edhe vlerësimet më konservatore i çojnë humbjet në disa mijëra.

Një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha në kushte anonimiteti se Rusia i ka shtuar inkursionet nga ajri gjatë dy ditëve të fundit, në rreth 300 në 24 orë dhe ka hedhur mbi 1100 raketa në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Presidenti Biden tha se “Putini gjithnjë e më shumë po e gjen veten në një pozitë pa rrugëdalje”.

“Ai nuk e kishte pritur këtë unitet të komunitetit ndërkombëtar dhe sa më shumë e gjen veten pa rrugëdalje, aq më të ashpra pritet të jenë taktikat që do të përdorë”, tha zoti Biden. Presidenti përsëriti akuzën se Putini është duke shqyrtuar mundësinë e përdorimit të armëve kimike. /voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme