Një vjet qeverisje e Kurtit| Çfarë është dashur të bëhej sipas analistëve?

08:01 | 22 Mars 2022
arbresh.info

Rritja e pakontrolluar e çmimeve të ushqimeve bazike, ngritja e çmimit të naftës, energjisë elektrike e politikë-bërja kanë bërë që Qeverisë Kurti t’i “humbë rruga”, duke mos eliminuar problemet por duke fajësuar të tjerët vlerësojnë analistët.

Këto probleme janë pikasur nga shtetet fqinje duke u parandaluar zmadhimi i ndonjë krize më të madhe. E njëjta nuk po ndodhë edhe në Kosovë, shkruan portali arbresh.info.

Një gjë të tillë e deklarojnë analistët politik, duke shtuar se kjo Qeveri ka harruar që është në pozitë, e madje deri më tash sipas tyre do duhej të kishte reagime për zgjidhje të problemeve, e jo informacione të konsumuara.

Afërdita Maliqi, analiste politike për arbresh.info tha se Qeveria Kurti ka “humbur rrugën”, pasi që shpeshherë po harron që është ajo që vendos.

“Një Qeveri që s’ka program konkret, që s’ka kuadro të mjaftueshme, që shpeshherë se kupton as vetë që është në pozite, normal që mund të themi se ka humbur rrugën”, tha ajo.

Deklaratat e Qeverisë duke detektuar problemet e duke mos i zgjidhur ato kanë vendosur një pikëpyetje të madhe në opinionin.

Analisti politik Arton Demhasaj për arbresh.info tha se rritja e pakontrolluar e çmimeve dhe mos reagimi i Qeverisë, e bënë fajtore direkt atë.

“Nuk kemi pa asnjë reagim nga ana e Qeverisë për këtë përpos që kemi pas deklarata nga ana e Qeverisë dhe vetë Kryeministrit që e dinë arsyen që po rriten çmimet por që nuk kanë marr masa për me e parandalu këtë në njëfarë mënyre mendoj që Qeveria e ka një pjesë të fajit për këtë”, deklaroi Demhasaj.

Sipas Afërdita Maliqit, Qeveria Kurti nuk ka zgjidhje për problemet, kështu vazhdon të përdor sloganin e saj mbi qeveritë e kaluara.

“Nuk ka zgjidhje për problemet kryesore të qytetareve dhe vazhdon të merret ende me sloganin ‘qeveritë e kaluara s’kanë ba kurrgjë për 20 vjet’, ama ka harru se pikërisht tu akuzu e kritiku qeveritë e kaluara ka ardh në pushtet!”, deklaroi Maliqi.

Por, pavarësisht kësaj, sipas Demhasaj, nuk mund të flitet për keq menaxhin, por për mos reagim në kohën e duhur.

“Deri më tash unë nuk kam parë ndonjë indikacion që Qeveria është tu e mundu me ndërmarr diçka”, tha ai.

Rritja e çmimeve sipas Demhasaj, ka bërë që të kërkohet edhe një pagë minimale prej 400 eurove, dhe jo ajo prej 264 eurove që u propozua nga qeveria.

“Ajo duhet të shkojë minimumi diku rreth 400 euro, sepse në bazë të çmimeve që janë dhe rrogave që janë momentalisht është e pamundshme me e përballu këtë situatë”, deklaroi ai, duke e parë si të nevojshme edhe rritjen e pensioneve.

Më 22 mars të vitit të kaluar, Albin Kurti me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, është zgjedhur kryeministër i Kosovës për herë të dytë, pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, me mbi 50 për qind të votës popullore./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme