Katari do të ndihmojë Gjermaninë të reduktojë varësinë nga gazi rus

14:56 | 21 Mars 2022
arbresh.info

Gjermania dhe Katari kanë rënë dakord për një partneritet afatgjatë energjetik për të reduktuar varësinë nga gazi rus pas pushtimit të Ukrainës, tha të dielën ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck. Habecku, i cili është në një vizitë në dy vende në Gjirin Arab, takoi Emirin e Katarit Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani në Doha. “Dita fitoi një dinamikë të fortë,” tha Habecku, duke shtuar se Emiri kishte premtuar më shumë mbështetje sesa priste Gjermania.

“Edhe pse ne mund të kemi ende nevojë për gazin rus këtë vit, në të ardhmen nuk do të jetë kështu. Dhe ky është vetëm fillimi,” shtoi Habecku. Katari është një nga tre eksportuesit më të mëdhenj të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Projekte të energjisë së rinovueshme në horizont

Në një kohë që vizita e ministrit pritej gjerësisht të siguronte furnizimin me LNG të Gjermanisë, Habecku tha se marrëveshja mbulonte gjithashtu zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe masat për të promovuar eficiencën e energjisë.

Një zëdhënës i ministrisë gjermane të Ekonomisë në Berlin konfirmoi më vonë se ishte arritur një marrëveshje. “Kompanitë që erdhën në Katar me [Habeckun] tani do të fillojnë negociatat e kontratës me palën e Katarit”, tha zëdhënësi.
Berlini planifikon të sjellë LNG në Gjermani duke e ngarkuar në bordin e anijeve. Por nuk ka terminale për ta pranuar atë për shkak të varësisë së trashëguar nga gazi i tubacionit.Gjermania ka njoftuar plane për të ndërtuar dy terminale të rinj LNG, por ata nuk ka gjasa të përfundojnë përpara vitit 2026.

Ndalesa tjetër: Emiratet e Bashkuara Arabe

Udhëtimi i Habeckut tani vazhdon në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), të cilat po ripozicionohen si një qendër e gjelbër hidrogjeni.

Emiratet e Bashkuara Arabe mund të ndihmojnë gjithashtu Gjermaninë të arrijë qëllimin e saj afatgjatë për kalimin në burime më të pastra të energjisë. Gjermania po shqyrton mënyra për të diversifikuar burimet e saj të gazit natyror për ta bërë vendin më pak të varur nga Rusia.

Megjithatë, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndaluar eksportet ruse të naftës, Gjermania thotë se do të duhen disa muaj ose më shumë për të diversifikuar furnizimet e saj. Berlini tashmë ka pezulluar licencën e funksionimit për gazsjellësin e ri Nord Stream 2, i cili do të transportonte gazin natyror rus në Gjermani nëpërmjet Detit Baltik.

Kërkesa për gaz rus mbetet e lartë

Megjithatë, shoqata gjermane e industrisë së energjisë BDEW tha javën e kaluar se pjesa e Rusisë në furnizimin me gaz në Gjermani në periudhën janar-mars, e cila nuk është publikuar zyrtarisht, mbeti në 40%.

Një grup ekonomistësh vlerësuan javën e kaluar se vendet e BE kanë transferuar më shumë se 13.3 miliardë euro (14.7 miliardë dollarë) në Rusi për naftë, gaz natyror dhe qymyr që nga fillimi i luftës./DW/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme