Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 6 muaj burgim Ragip Begajn, ish-kryetar i Malishevës, i akuzuar për korrupsion, dënim i cili me pëlqimin e tij, mund t’i zëvendësohet me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.
Begaj akuzohej se me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc.
Aktgjykimi ndaj Begajt u shpall të hënën nga gjykatësja Violeta Namani, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas këtij aktgjykimi, në rast se nuk jepet pëlqimi për pagesën e dënimit me gjobë, atëherë mbetet në fuqi dënimi me burgim prej 6 muajsh.
I njëjti po ashtu obligohet që t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën 100 euro si dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj ngarkohej se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.
Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.
Po ashtu, i njëjti ngarkohej se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.
Për këto veprime, Ragip Begaj ngarkohej për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...
Parandalohet edhe një rast i kontrabandës me mallra
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...