Google ADS

Kosova në Këshillin e Evropës, pozita thotë se janë plotësuar kriteret

21:14 | 20 Mars 2022
A. B.

Kosova synon që së shpejti të arrijë të bëhet anëtare në organizatën kryesore të kontinentit për të drejtat e njeriut, Këshillin e Evropës.

Ulësja në këtë seli në Strasburg pas largimit të Rusisë pas 26 vjetësh nga aty për shkak të agresionit në Ukrainë, duket të jetë më lehtë e arritshme meqë vendit i duhen votat e dy të tretave të vendeve anëtare, që thuhet se i ka.

Por, cila është rruga që Kosova të arrijë deri në organizatën më të vjetër politike në Evropë?

Propozimi duhet të bëhet nga një shtet anëtar i Këshillit, pastaj Asambleja emëron të deleguar që vijnë në Kosovë për të vlerësuar plotësimin e kritereve. Ata nxjerrin një rekomandim që votohet në Asamblenë Parlamentare derisa vendimi final merret përmes votimit në Këshillin e Ministrave.

Profesori Dritëro Arifi tha për RTK se do të ishte mirë që pjesë e Grupit për vlerësimin e kritereve të jenë përfaqësues të shteteve njohëse të Kosovës.

Në partinë në pushtet thotë se të gjitha kriteret Kosova ka kohë që i ka të plotësuara.

Por, partitë në opozitë kërkojnë që të intensifikohet puna e institucioneve, thonë se Qeveria ka hequr dorë nga politika e jashtme.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk është pjesë e Këshillit të Evropës. Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë që nga viti 1995, Serbia nga viti 2003, e Mali i Zi nga viti 2007.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme