Google ADS

Detaje të reja| Pasi rrahu kuzhinierin e njohur, Ernest Luka u arrestua me babain për ‘shtëpi bari’

18:43 | 20 Mars 2022
A. B.

Pak minuta më parë, policia e Fushë-Krujës njoftoi detajet e dhunës ndaj kuzhinierit Indrit Çela, i cili u rrah barbarisht në sy të gruas në vendin e quajtur “Ura e Gjoles”. Mësohet se kuzhinieri është rrahur nga dy vëllezër Donald dhe Ernest Luka. Këta të fundit, i kanë prerë rrugën me makinë kuzhinierit dhe e kanë dhunuar me grushta, shqelma dhe leva hekuri.

Por diçka e dyshimtë bie në sy në njoftimin e policisë.

Ernest Luka, një prej vëllezërve dhunues, është vënë në pranga, mbrëmjen e djeshme, por në një operacion tjetër. Ai është arrestuar bashkë me babain e tij për kultivim kanabisi, pasi kishin kthyer një stallë në “shtëpi bari”.

Njoftimi i policisë Krujë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Derveni”. Zbulohet një ambient i përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave. Arrestohen në flagrancë babë e bir, Llesh Luka dhe Ernest Luka. Sekuestrohen 316 vazo në të cilat ishin të kultivuar fidanë të dyshuar kanabis sativa, pajisje elektrike dhe aksesorë të tjerë që shërbenin për kultivimin e kanabisit me ngrohje, me anë të llambave.

Gjithashtu sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash, në lekë dhe euro (1.822.000 lekë dhe 37.000 euro). Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, se dy shtetas kishin përshtatur një ambient në fshatin Derven, për kultivim të kanabisit me anë të llambave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Derveni”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Ll. L., 57 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, (babë e bir), banues në fshatin Derven.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesës dhe ambienteve në pronësi të këtyre shtetasve, kanë konstatuar një ambient (stallë), të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, ku brenda saj u gjetën dhe u sekuestruan: 316 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar në vazo plastike, llamba, pajisje të ndryshme elektrike dhe aspiratorë. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 1.822.000 lekë dhe 37.000 euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Nuk dihet nëse kjo është thjesht një rastësi policore, apo diçka fshihet në ‘kombinimin’ e dy ngjarjeve. Ndërkohë vëllai i Ernest Lukës është shpallur në kërkim.

Edhe më e dyshimtë fakti se Indrit Çela e kishte kushëri Erion Çela-n, që mbeti viktimë në atentatin në Don Bosko.

Erion Çela, 35 vjeç u vra ndërsa vëllai i tij Blerim Çela 28 vjeç ka marrë plagë në këmbën e djathtë dhe në fytyrë.

Të plagosur gjithashtu mbetën edhe 3 personat e tjerë të cilët ishin ulur në tavolinë me vëllezërit Çela, Arben Dani 46 vjeç, Azbi Selimaj, 19 vjeç, dhe Edmond Crroj 41-vjeç.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme