Katër ushtarë amerikanë vdesin pas rrëzimit të një avioni në Norvegji

11:22 | 19 Mars 2022
L G

Katër ushtarë amerikanë janë vrarë pas rrëzimit të një avioni gjatë stërvitjeve të NATO-s.

Këto stërvitje nuk ishin të lidhura me luftën në Ukrainë, tha të shtunën kryeministri norvegjez.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, shkroi në Twitter se rrëzimi i avioni ka ndodhur të premten mbrëma, ndërkaq shtoi se po hetohen shkaqet e këtij incidenti.

“Ushtarët po merrnin pjesë në stërvitjet e NATO-s të quajtura ‘Përgjigja e Ftohtë’”, tha ai, teksa shprehu ngushëllime për familjarët e ushtarëve të vrarë.

Avioni i tipit V-22B Osprey i përkiste marinës amerikane, thanë forcat e armatosura norvegjeze.

“Avioni kishte në bord katër pjesëtarë dhe u nis në një mision stërvitor në qarkun Nordland” në veri të Norvegjisë, u tha në deklaratë.

Kryeministri norvegjez tha se avioni ishte paraparë të ateronte para orës 18:00 të premten, por u rrëzua në jug të qytetit Bodo. Policia dhe ekipet e shpëtimit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkaq në orët e para të së shtunës, autoritetet konfirmuan se katër pjesëtarët e ekuipazhit kanë vdekur.

Stërvitjet e përvitshme ushtarake të NATO-s në Norvegji nuk janë të lidhura me Ukrainën. Këtë vit, në këto stërvitje marrin pjesë rreth 30,000 trupa, 220 avionë dhe 50 anije nga 27 vende. Shtetet që nuk janë pjesë e NATO-s, Finlanda dhe Suedia po ashtu po marrin pjesë në këto stërvitje.

Stërvitjet kanë nisur më 14 mars dhe do të përfundojnë më 1 prill./Rel/

Të ngjashme