Në Podujevë u përuruan dy ura

14:56 | 4 Dhjetor 2015
Arbresh.info

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka bërë sot përurimin e dy urave të ndërtuara mbi lumin Llap, një ure në qytet dhe tjetra në rrugën që lidh fshatrat Letanc dhe Peran.

Në përurimin e dy urave, të ndërtuara mbi lumin Llap, përveç kryetarit të Komunës, Agim Veliu, kanë qenë të pranishëm edhe banorë të këtyre lokaliteteve dhe përfaqësues të ekzekutivit të Komunës.

Me rastin e përurimit të urës te “Lagja e Blakçorëve” në Podujevë dhe në atë që lidh fshatrat Peran dhe Letanc, kryetari Veliu ka vlerësuar se këto dy ura janë të një rëndësie te veçantë, për banorët e këtyre dy lokaliteteve.

Për urën mbi Llap në afërsi të Stacionit të Autobusëve, Veliu ka thënë se kjo është ura më e madhe që është ndërtuar këto vitet e fundit.

“Ka pas nevojë për një urë, sepse ka qenë një urë e vjetruar prej druri, e cila nuk i ka plotësuar kërkesat e banorëve. Është ura më e madhe që është ndërtuar viteve të fundit”, ka shtuar kryetari Veliu.

Kryetari Veliu gjithashtu e ka vlerësuar shumë të rëndësishme ndërtimin e urës në rrugën që lidh fshatrat Peran dhe Letanc.

“Ndërtimi i kësaj ure mundëson një qarkullim më të lehtë dhe një lidhje më të shkurtër jo vetëm mes këtyre dy fshatave por edhe fshatrave të tjera”, ka shtuar më tej Veliu.

Prerjen solemne të shiritit të përurimit të dy urave e ka bërë kryetari Veliu dhe përfaqësues të komunitetit.

Gjatë këtij viti Komuna e Podujevës, me mjetet nga buxheti i saj ka ndërtuar shtatë ura, kurse vitin e kaluar ka ndërtuar pesë ura.

Kryetari Veliu ka premtuar gjithashtu se edhe vitin e ardhshëm, do të ndërtohen ura në disa lokalitete ku është paraqitur nevoja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme