Përfundojnë deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes në rastin Gucati e Haradinaj

17:23 | 16 Mars 2022
L G

Ka përfunduar dhënia e deklaratave përmbyllëse të mbrojtësve të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ku mbrojtja ka thënë se ata janë të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës e se prokuroria nuk arriti të vërtetojë të kundërtën.

Gucati e Haradinaj po akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në sesionin e pasdites, në seancën e së mërkurës, avokati Cadman ka thënë se nuk ka interes më të madh për publikun se sa të dalë e vërteta për këtë proces.

“Zyra e prokurorisë e ka hapur fjalën e saj duke thënë se të akuzuarit kanë ndërmarrë një numër veprimesh. Ne kemi ngritur këtë çështje në dosjen përfundimtare duke përmendur një agjenci që mund të ketë pasur qasje në sistemet e ZPS-së. Nuk janë shfaqur prova para trupit gjykues për të sugjeruar se ajo që ka ndodhur është si rezultat i hyrjes apo shkeljes së sistemit kompjuterik të ZPS, por po të kishte ndodhur do të ishte logjike që kjo hyrje në sistem do të bëhej nga një agjenci shtetërore të sofistikuar”, tha ai.

I njëjti shtoi se prokuroria nuk ka paraqitur prova që ishte si rezultat i një agjencie të një zbulimi të një shteti.

Sipas tij, ajo që mund të thuhet është se rezultati nga faktet është se një agjenci shtetërore, mund të ketë qenë përgjegjëse për shkelje flagrante të sigurisë. Por, se tha se nuk sugjeron se mund të ketë prova për këtë pasi nuk janë paraqitur prova.

Kurse, deklaroi se Haradinaj ka pasur arsye të shqetësohej se diçka nuk po shkon në rregull në këtë proces.

“ZPS ka thënë se kjo është një pohim i çuditshëm, por se është detyra ime si avokat mbrojtës të nxjerr të vërtetën në emër të klientin tim dhe është objektiv i tij të gjej të vërtetën në këtë kontest”, ka thënë Cadman.

Ai tha se duke iu referuar dosjes përfundimtare dhe gjashtë akuzave, sipas mendimit të tij, për secilën prej pikave të aktakuzës janë paraqitur prova të pamjaftueshme për të vërtetuar elementet e një vepre penale.

“Kërkojmë të kërkoni dëshmitë në tërësi dhe me kujdes dhe të arrini në përfundimin se ai është i pafajshëm për secilën prej pikave të aktakuzës. Haradinaj ka besim të madh në aftësinë tuaj për ta bërë një gjë të tillë dhe unë kam besim të madh se do të trajtoni të gjitha dëshmitë që janë paraqitur edhe nga prokuroria, edhe nga mbrojtja në mënyrë të barabartë”, ka thënë Cadman.

Tutje, është vazhduar me pyetje nga trupi gjykues drejtuar mbrojtjes, pas dhënies së deklaratave përmbyllëse.

Avokati Jonathan Elystan Rees lidhur me nenin 388 të Kodit Penal, që ka të bëjë me hakmarrjen, ka thënë se mendojnë që duhet të shikohet formulimi i secilës vepër penale dhe nuk ka mënyrë për të krahasuar qasjet e ndryshme.

“Po t’i hedhim një sy formulimit, hakmarrja, te neni 388 (1) përdor fjalën me synimin që 387 e bën të qartë se ekziston i njëjti synim duke iu referuar një veprimi për të sjellë një veprim tjetër që tregon një synim specifik”, ka thënë ai.

Tutje, ai deklaroi se prokuroria ka barrën e provës dhe duhet të vërtetojnë se ka ekzistuar synimi specifik, ai tha se nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta.

“Nëse ka më shumë se kaq si provë, ata nuk kanë arritur standardin të provojnë përtej dyshimit të arsyeshëm, nuk më kërkohet të them dhe nuk them se fjalët e Gucatit dhe synimi i tij për të ekspozuar bashkëpunimin mes Serbisë dhe ZPS të çojnë në konkluzionin që kjo nuk është mundësi, është prokuroria që i kërkohet të përjashtojë këtë fakt për të provuar se ekzistojnë prova për këtë çështje”, tha ai.

Ai tha se kjo është një çështje që nuk ka prova të drejtpërdrejta.

“Atij nuk i takon të provojë një gjë të tillë dhe i takon prokurorisë ta provojë nëse synimi i tij ka qenë siç e ka thënë gjatë gjithë kohës kjo nuk mjafton për të provuar akuzat, për të cilat është ngarkuar dhe nëse iu takon atyre ta përjashtojnë këtë mundësi, nuk kanë arritur ta bëjnë”, tha avokati Rees.

Gjykatësi Guénaël Mettraux ka thënë se Rees ka bërë sugjerime sa i përket Tomë Gashit, sidomos sa i përket detyrës së tij si avokat i OVL-UÇK-së dhe dëshiron të kuptojë se a po thotë se sjellja e klientit të tij pasi ka marrë këshillën e zotëri Gashit para 17 shtatorit 2020, kurse avokati Rees e konfirmoi këtë.

“Zotëri Gucati tha se Gashi është punësuar para konferencës së parë të shtypit dhe se ka pas kontakte me të edhe para punësimit të tij si këshilltar ligjor. Do të kërkoja të shqyrtonit procesverbalin e konferencës së dytë të shtypit vet ku përmendet këshilla e tij dhe në këtë mënyrë konfirmohet qëndrimi i tij fillestar në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Gjykatësi e ka pyetur se a po i kërkon të arrijë në konstatime sa i përket klientit të tij me qëllim që ai të quhet sinjalizues.

“Dëshmitë që keni dëgjuar kanë të bëjnë për të dy dhe nuk mund t’iu kërkoj që të parashtroni dëshminë që keni dëgjuar në shqyrtimet tuaja. Ne kemi ngritur gjatë gjithë kohës çështjen e interesit publik, nuk e kam ngritur si një mënyrë mbrojtjes, por e kemi thënë gjatë gjithë kohës që luan një rol të detyrimeve të prokurorisë për të provuar që materialet janë nxjerrë pa autorizim dhe në mënyrë të paligjshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, sa i përket ekspertes së sinjalizimit që ka dëshmuar, iu ka ndihmuar për nenin 10 të KEDNJ dhe dëshmive të interesit publik.

“Por, këtë e shoh brenda kuadrit të detyrimit që ka prokuroria për të provuar çështjen e saj dhe nuk po sugjeroj se ekziston një mbrojtje e veçantë statutore në këtë drejtim”, tha Rees.

Kurse, gjykatësi tha se kanë parashtruar se neni 62 nuk ishte i zbatueshëm apo nuk përbën bazë ligjore të pranueshme për të thënë që materiali ishte mbuluar nga konfidencialiteti.

Ai kërkoi të dijë se cili është mendimi i mbrojtjes lidhur me bazën ligjore mbi të cilën prokuroria do të ishte bazuar që këtë material ta quante konfidencial apo nuk kanë pasur kompetencë për të bërë një gjë të tillë.

“Pika 5 flet për informacionin sekret, neni i Kodit Penal të Kosovës thotë se nxjerrja e materialeve që janë dhënë një personi gjatë një procedure zyrtare dhe është deklaruar se është sekret nga një gjykatë apo autoritet kompetent duhet dënuar. Nëse ZPS është autoritet për të deklaruar informacionin e tillë, atëherë vlen, por nuk ka bërë një gjë të tillë prokuroria. Fjala sekret është një term arti që të thuash që ka të bëjë me ligjet e përgjithshme të klasifikimit të sigurisë që mbulon të gjitha organet në Kosovë. Sekret dhe rreptësisht sekret janë klasifikime të veçanta dhe prokuroria nuk ka paraqitur dëshmi apo ftuar dëshmitarë për të vërtetuar se ka pasur informacion të jetë deklaruar sekret”, ka thënë ai.

Kurse, për pikën 6 të nenit 392, pika 2, tha se flasin për të dhënat dhe identitetin për personat që gëzojnë mbrojtje në procedurë penale apo janë pjesë e programit të veçantë të mbrojtjes.

“Do të kërkonim të thonit se nuk kemi dëgjuar që ka pasur dëshmitarë që kanë kërkuar të mbrohen pa vendim gjykate, ka pasur kërkesa që nuk janë aprovuar në atë fazë, apo në një rast ka pasur të jetë kërkuar urdhërmbrojtje që nuk është bërë publik. Sipas nesh duhet të ekzistojë një urdhër mbrojtje”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe po të kishte ekzistuar një urdhër dhe ky urdhër nuk është publik dhe Gucati nuk ka pasur dijeni, atëherë nuk është plotësuar kërkesa për të provuar se ka pasur vepër penale.

“Fushëveprimi i ZPS-së u takon atyre se çfarë kompetence kanë. Përpjeka e tyre për t’u mbështetur në pohim se të gjitha dokumentet që posedojnë duhet të jenë konfidenciale dhe gjitha dokumentet janë konfidenciale është shumë poshtë përmbushjes, plotësimit të standardit të kërkesave të pikës 56 për të provuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe kjo është arsyeja pse kemi këtë gjyq këtu”, tha ai.

Tutje, gjyqtari ka pyetur avokatin Cadman se çfarë thotë ai lidhur me dëshmitë e dëshmitarit të tyre, ekspertit Reid, i cili sugjeronte që së pari një organ hetimor mund të mblidhte informacione nga persona që ose janë të dyshuar për kryerje të një krimi.

“Dhe së dyti që ai konfirmoi se disa nga individët me të cilët kishte punuar ishin të njëjtët individë që mbrojtja thotë se duhet të qëndronte larg tyre”, ka thënë gjyqtari.

“Besoj që ka dy pjesë për këtë pohim. Pjesa e parë është që duke qenë se kam shpenzuar kohë në tribunale kombëtare dhe ndërkombëtare, është e zakontë që të përdoren dëshmitarët e brendshëm për procedura penale, apo për marrëveshje për imunitet, por ka një dallim se në rastet kur kemi me person të brendshëm që jep informacion për një çështje që është akuzuar dhe individëve që japin informacion si është në çështjen aktuale”, ka thënë ai.

Tutje, tha se individët që janë cituar se kanë dhënë informacione për të zbuluar krime dhe parashtrimi i tyre është se ka dallim mes këtyre dy grupeve të rrethanave.

Ai tha se mendon që situata është paksa e ndryshme me përdorimin e dëshmitarëve të brendshëm.

Cadman tha se i qëndron pozicionit që ka të bëjë me veprime të parregullta të prokurorisë.

“Argumenti është cila është gjendja e mendjes dhe kuadri mendor i Haradinajt kur ka bërë hapa që ka bërë se çfarë pozicioni kishte kundër individëve që janë shprehur me situatën në Kosovë dhe flitet për përfshirjen e tyre në masakrat e tyre në Kosovë. Nuk kemi thënë që është e parregullt në të gjitha rrethanat të bashkëpunohet me autoritetet e një shteti tjetër”, tha Cadman.

Kurse, avokati Cadman po ashtu tha se Haradinaj nuk ishte në dijeni dhe nuk kishte informacion deri në çfarë përmase kishte arritur rrjedhja e informacionit dhe sa persona të tjerë kishin qasje në informacion dhe kjo ishte një ndër arsyet për hapat që mori.

“Nuk po sugjerojmë që përmes të veprimeve të Haradinajt, është krijuar situata sepse e ka thënë vet Haradinaj që janë shqetësime, që ZPS është përgjegjëse për rrjedhjen e informacionit publik dhe këtë gjë e ka bërë publike përmes veprimeve të tij”, u përgjigj ai.

Gjyqtari e pyeti se a e pranon që mjedisi ku kanë ndodhur këto ngjarje është i pasigurt.

“Mbase mund të jetë zgjedhje jo e duhur e fjalëve. Ne nuk kemi sugjeruar se një akt i Haradinajt ka krijuar një mjedis të pasigurt. Ai e ka shprehur që në asnjë mënyrë nuk ka qenë i përfshirë me rrjedhjen e të dhënave, ka qenë shumë i qartë në dëshminë e vet lidhur me paralajmërimet që u ka dhënë personave”, ka thënë ai.

Gjyqtari Fergal Gaynor ka pyetur mbrojtësit se pse mendojnë se barra e provës u takon ZPS-së.

“Konkretisht e dimë që ZPS ka detyrën që të nxjerrë prova shfajësuese, por kjo mungesë e veprimeve të parregullta sigurisht nuk është element i veprës penale. A mund të na shpjegoni se pse nuk është barrë e mbrojtjes që të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm dhe kjo i takon prokurorisë”, pyeti Gaynor.

Avokati Rees tha se i takon prokurorisë të vërtetojë se nxjerrja e informacionit është bërë pa autorizim dhe edhe pse e pranon se nuk zbatohet në këtë rast, një bazë tjetër ligjore është neni 131.

“Prokuroria duhet të provojë informacionet, të provojë që bëhet fjalë për informacione që janë sekrete apo janë deklaruar të tilla nga një gjykatës apo organ ligjor”, ka thënë ai.

Gjykatësi Gaynor ka pyetur se a mendojnë se ka pengesë ligjore për zbatimin e synimit eventual për të gjitha krimet e akuzuara.

“Neni 21, pika 2 përcakton se çfarë është veprimi me dashje direkte apo synim të drejtpërdrejtë. Pra, kur ke një synim konkret, pra një vepër penale që është bërë me synim konkret, pra qëllimi është të nxitet një person tjetër të mos bëjë deklaratë apo bëhet hakmarrje lidhur me një informacion të vërtetë. Neni 21, 3 ka synimin e dashjes eventuale apo synimit eventual, kjo dërgon te synimi specifik që përmban vepra penale”, ka thënë ai.

Tutje, pyeti se nëse personi e di se po bën një veprim me një synim zbatohet 21 (2), nëse jo 21 (3).

“Megjithëse hakmarrja ka fjalët specifike “me qëllim që”, kurse neni 387 e jep synimin specifik sepse kërkon përdorimin e forcës apo kanosjen serioze për të shtyrë një person tjetër. Kuptimi është i njëjti nëse përdor forcë apo kërcënim me synim “që apo për të shtyrë dikë”, tha ai.

Ndryshe, gjykimi ndaj Gucatit e Haradinaj do të vazhdojë nesër.

Avokati Cadman: Haradinaj ka vepruar gjithmonë në interesin publik dhe se ky ka qenë parimi që e ka udhëzuar gjithmonë

(Përditësuar, ora: 14:38)- Në fjalën e tij përmbyllëse, avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, ka thënë se klienti i tij ka vepruar gjithmonë në interesin publik dhe se ky ka qenë parimi që e ka udhëzuar gjithmonë atë.

Haradinaj bashkë me Gucatin po akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Cadman ka thënë se Haradinaj është kritikuar se ka thënë atë që beson dhe mendon se është e vërtetë.

Sipas tij, ka mungesë të plotë provash për të vërtetuar pretendimet kundër tij dhe se ka pasur të meta në nxjerrjen e dokumenteve dhe nuk kanë pasur dokumentet që duhen dhe siç thotë prokuroria ato përbëjnë bazën e dënimit për të.

“Duke pas parasysh këtë mungesë të dhënies së dokumenteve, kjo përbën një çështje, një defekt sa i përket gjykimit të drejtë ndër të tjera sepse nuk kemi pasur mundësinë për të bërë kundërpyetjet që duhet”, ka thënë Cadman.

Avokati Cadman ka thënë se mbështet thëniet e avokatit të Gucatit dhe se vlejnë edhe për Haradinajn të njëjtat dhe nuk do t’i përsëris ato. Sipas tij, ka plotë gjëra sa i përket ligjit dhe provave që janë njësoj të zbatueshme për të dy të akuzuarit.

“Së pari që në fillim zoti Rees tha se ky është një rast kur prokuroria duhet të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm dhe edhe unë e ngre këtë pikë dhe kjo barrë i takon prokurorisë. Në rastin e Haradinajt apo të ndonjë të akuzuari tjetër, nuk u takon atyre të vërtetojnë pafajësinë e tyre, por i takon prokurorisë të vërtetojë të gjitha pikat e aktakuzës, kjo është përgjegjësi shumë serioze”, ka thënë avokati Cadman.

Ai tha se trupi gjykues i ka parasysh detyrimet e prokurorisë, por janë pika të arsyeshme që ai duhet t’i paraqes.

“Unë kam besim të plotë siç ka edhe Haradinaj që trupi gjykues do t’i zbatojë parimet bazë për provat dhe do t’i trajtojë në mënyrë të drejtë dhe barabartë. Në deklaratën e vet mbyllëse, prokuroria pati një qasje shumë agresive dhe unë do t’i përgjigjem disa komenteve specifike të ZPS-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, e pranon hapur që në dosjen e tyre përmenden tre herë dokumente që nuk janë pranuar si prova dhe e njëjta gjë ka qenë edhe për prokurorinë që i është referuar raporteve në shtyp që nuk janë pranuar si prova materiale.

“Megjithëse ZPS kritikon mbrojtjen, ata nuk janë të shfajësuar vet. Sipas ligjit mbrojtja e Haradinajt ka dorëzuar një parashtrim për sa i përket elementeve të krimeve dhe për format e përgjegjësive penale, ne mbështetemi te ky dokument”, ka thënë ai.

Tutje, tha se mbrojtjet e tyre janë substanciale në raport me ligjin dhe nëse ka dallime mes dy pozicioneve të mbrojtjeve, që nuk ka dhe janë të njëjtit mendim i atyre që paraqiti mbrojtja e Gucatit.

“Pavarësisht nga perceptimet gjatë gjithë gjykimit, gjykata përfaqëson popullin e Kosovës dhe të gjitha viktimat dhe trupi gjykues duhet të ketë parasysh këtë”, deklaroi Cadman.

Avokati Cadman ka thënë se zakonisht gjykatat gjykojnë çështje, por ndonjëherë çështjet gjykojnë gjykatat dhe ky është rasti në këtë gjykatë.

“Ne parashtrojmë se kjo çështje ka të bëjë më tepër se me fatin e dy personave që po gjykohen këtu, ka pasoja gjithëpërfshirëse që shtrihen jashtë mureve të kësaj çështje. Kem dëgjuar nga prokuroria për rëndësinë e institucionit, si duhet të mbrohen individët, kanë folur për drejtësinë dhe shtetin ligjor dhe viktimat. Por, këtu qartësisht mungon gjykimi apo ndjekja penale e agresorëve serbë dhe kjo çështje është për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të Kosovës dhe kur mohohet drejtësia u mohohet të gjitha viktimave”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo gjykatë ka çështje gjyqësore vetëm për një palë të caktuar dhe se nuk e thotë këtë si deklaratë politike, por se është deklaratë faktike.

“Nëse dikush meriton drejtësi dhe të gjithë e meritojnë drejtësinë, prokuroria e ka konfirmuar përmes zonjës Pumper që nuk janë ndjekur penalisht kryesit serbë, që do të thotë se nuk ka hetime për masakrat e shumta, për krimet e kryera nga serbët e Kosovës, nga paramilitarët dhe disa prej tyre janë në Interpol dhe disa janë krenarë që e pranojnë se janë shtytës të këtij procesi këtu”, tha ai.

Sipas tij, Haradinaj është shprehur qartë se të gjithë që kanë kryer krime duhet të ndiqen penalisht, pavarësisht se kush janë.

“Kur ai u bë nënkryetar bashkë me Gucatin si kryetar, e bëri të qartë një gjë, ata persona që thirreshin nga ZPS duhet të bashkëpunonin, kjo ndryshoi pozicionin e mëparshëm që kishte OVL, ata duhet të bashkëpunojnë sepse s’ka asgjë për të fshehur apo pasur frikë. Këtë ka thënë ai në deklaratën e tij”, ka thënë Cadman.

I njëjti shtoi se kur Haradinaj bëri një fushatë që përmendi ZPS kur mblodhi 150 mijë nënshkrime, ko nuk ishte për të minuar procesin e drejtësisë dhe të vërtetën, por se ka bërë peticion për t’ia paraqitur Kuvendit për të menduar ligjin për DhSK.

“Ishin hapa për të siguruar që Dhomat e Specializuara dhe ZPS të bënin një proces të barabartë, dhe jo selektiv e diskriminues. Haradinaj ka dedikuar jetën e tij pavarësisë dhe integritetit të Kosovës dhe veprimet e tij duhet të shihen përmes kësaj thjerrëze, agresionin që e ka pësuar ai. Ka përgjegjësi të madhe trupi gjykues për të vendosur drejtësinë në këtë proces, dhe nuk ka të bëjë me rishkrimin e historisë, por të vendoset drejtësia dhe këtë kërkon Haradinaj”, tha ai.

Sipas tij, këto materiale nuk i ka marrë Haradinaj, por kanë dalë nga ZPS.

“Prokuroria tha se ai nuk është përgjegjës për vjedhjen apo nxjerrjen e këtyre dokumenteve. Prokuroria e ka lejuar të nxjerrjen këto dokumenteve dhe deri në këtë ditë nuk dihet si e ka lejuar këtë. Prokuroria gjithë çështjet e bazon në atë që e quajmë prova të dorës së tretë, prova që dëshmitarët nuk kanë pasur njohuri të drejtpërdrejtë. Ai ka kaluar një vit e gjysmë në burg para se të vinte në këtë fazë, e ka pranuar se ka kritikuar ZPS për qasjen e mjegullt ndaj sistemit e drejtësisë, ka kritikuar atë që e mendon si qasje diskriminuese”, tha Cadman.

Ai tha se Haradinaj ka të drejtë të mbajë këtë qëndrim dhe është e drejtë themelore e çdo qytetari të Kosovës.

“Nuk ka pasur kanosje, pengim, nuk ka pasur ndërhyrje e as hakmarrje. Nuk duhet harruar që në asnjë fazë prokuroria nuk ka identifikuar asnjë dëshmitar që të jetë kërcënuar apo frikësuar nga veprimet e Gucatit dhe Haradinajt. Nuk ka identifikuar se kundër kujt është hakmarrë dhe akuzat i ka bërë në terma të përgjithshme”, ka thënë ai, duke shtuar se ZPS nuk është në gjendje të provojë asnjë nga pikat e aktakuzës.

Sipas tij, Haradinaj ka deklaruar se të gjitha çështjet për të cilat është akuzuar janë çështje të interesit publik kombëtar.

“Interesi publik është në favor të zotit Haradinaj dhe në mënyrë shumë të qartë”, deklaroi Cadman.

Tutje, ai në deklaratën e tij përmbyllëse i bëri një shqyrtim deklaratave që dëshmitarët e mbrojtjes kanë dhënë në këtë gjykim. Cadman tha se sipas mendimit të tyre, Haradinaj duhet të klasifikohet si sinjalizues.

Ai vazhdoi duke iu referuar deklaratës së Haradinajt, ku i njëjti ka mohuar se ka nxjerrë emra të dëshmitarëve.

Tutje, tha se Haradinaj nuk është kundër drejtësisë dhe nuk është i vendosur për ta minuar këtë institucion dhe nuk është e vërtetë që ka përmendur emra të dëshmitarëve të mbrojtur.

Avokati tha se inkurajon trupin gjykues që të trajtojë të gjitha provat në tërësi dhe jo në copëza të përzgjedhura.

Kurse, për dëshmitë që ka paraqitur prokuroria, ai tha se e kanë trajtuar në mënyrë të dosjes përfundimtare dhe është elaboruar në detaje nga avokati i Gucatit.

“Dua të sjell në vëmendjen tuaj disa konstatime të përgjithshme lidhur me provat që janë parashtruar. Gjithashtu, do të bëj komentin e përgjithshëm që kjo çështje është e spikatur nga mungesa e nëpunësve të ZPS që kanë luajtur rol të drejtpërdrejta në tri operacionet e sekuestrimit”, ka thënë ai.

Ai tha se Daniel Moulberg, kishte thënë se nuk kishte qenë në gjendje të kuptonte se cili ishte diskutimi pasi nuk kishte përkthim.

“Në përgjithësi, ai u dok si një dëshmitar i konfuzuar megjithatë pavarësisht kësaj ishte i qartë për një pikë dhe e kam për përdorimin e qeseve të provave materiale dhe zinxhirin e ruajtjes. Zotëri Berisha, është një gazetar që ka botuar dokumente që sipas tij ishin në interes të publikut dhe gjatë botimit të këtyre materialeve dhe nuk u kritikua fare nga ZPS, por u mbështet. E bëri të qartë se veprimet e veta nuk përligjnin ndjekjen penale”, ka thënë Cadman.

Ai tha se Zenka Pumper, në mënyrë të ngjashme si Miro Jukiq, në rastin e saj nuk u dhanë prova se si incidenti në diskutim ka penguar ushtrimin e detyrës zyrtare.

“Në fakt konfirmoi se është angazhuar në hetimet e tilla dhe në rastin konkret kishte rolin e kufizuar në procesin e marrjes së dokumenteve. Dëshmia e saj, kishte plot pranime, të cilat flisnin që nuk ishin bërë kontrolle sa i takon informacionit, nëse kishte të bënte me persona që ishin në fushën publike dhe nëse ishin sekuestruar nga ZPS”, tha ai.

Tutje, Cadman deklaroi se në dosjen e tyre merren me detaje me dëshminë e dhënë nga Jukiq dhe parashtrojnë se e gjithë dëshmia e tij nuk ka besueshmëri.

“Duam të sjellim në vëmendjen tuaj keqkuptimin e zyrës së ZPS në Prishtinë dhe me sa kuptova nuk kishte zyrë në Prishtinë, të përhershme dhe nuk është e qartë pse ai të bënte një gabim të tillë në dëshminë e tij dhe parashtrojmë se dëshmia e tij nuk ishte e besueshme”, deklaroi Cadman.

Ai deklaroi se lidhur me çështjen e prokurorisë, nuk ka shumë që mund të thotë përveç asaj që ka parashtruar në dosjen përfundimtare.

Sipas tij, nuk ka prova të përdorimit të forcës apo kanosjes.

“ZPS e kritikoi të hënën mbrojtjen e Haradinajt dhe tha se parashtrimi i saj ishte selektiv. Në fakt, është e vërtetë që nuk ka prova që flasin për kanosje serioze apo përdorimin e forcës me detyrim ndaj zyrtarëve në ushtrimin dhe kryerjen e detyrave të tyre zyrtare dhe këtë e kemi parashtruar në dosjen tonë”, tha ai.

Edhe për pikën e tretë, ai deklaroi se nuk ka prova për kanosje apo përdorim të forcës ndaj zyrtarëve publik. Kurse, tha se nuk ka asnjë pikë që provon hakmarrja nga ana e Haradinajt siç pretendon prokuroria.

Lidhur me pikën gjashtë, theksoi se një element i rëndësishëm i veprës është që një person në atë kohë ishte në mbrojtje ndërkohë që nuk është parashtruar asnjë provë që e përmbush këtë element.

Ai tha se nuk mund të thuhet se Haradinaj kishte synimin për të kryer të gjitha këto vepra.

“Një prej elementeve kryesore të çështjes së mbrojtjes është elementi i standardeve hetimore dhe hetimi në vetvete ka mangësi të mëdha”, ka thënë ai.

Të ngjashme