Google ADS

OKB: Mbi 2.6 milionë persona janë larguar nga Ukraina

16:50 | 13 Mars 2022
KRG

Kombet e Bashkuara thanë të dielën se ka arritur në pothuajse në 2.7 milionë numri i refugjatëve që janë larguar nga Ukraina qëkur presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi nisjen e pushtimit të shtetit fqinj më 24 shkurt.

Komisionari i Lartë për Refugjatë i OKB-së tha se 2,698,280 refugjatë janë larguar nga Ukraina deri më tani.

Kjo shifër paraqet rritje prej 100,700 krahasuar me një ditë më parë.

Shefi i Agjencisë për Refugjatë i OKB-së, Filippo Grandi, ka thënë se ky është eksodi më i madh i refugjatëve në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Katër milionë persona mund të largohen nga Ukraina për shkak të dhunës, ka vlerësuar OKB-së. Por, sipas Agjencisë për Refugjatë (UNHCR), ky numër mund të rritet.

Polonia aktualisht ka pranuar mbi gjysmën e refugjatëve, apo 1,655,503 kanë hyrë në këtë shtet që prej nisjes së pushtimit, ka thënë UNHCR.

Refugjatë ka strehuar edhe Hungaria, Sllovakia, Moldavia, Rumania dhe shtetet e tjera, por edhe 106,000 persona nga Ukraina kanë ikur në Rusi.

Para konfliktit, Ukraina kishte një popullsi prej 37 milionë banorësh që jetonin në rajonet e kontrolluara nga Qeveria. Në këtë numër nuk përfshihet popullsia në Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, dhe as në rajonet separatiste në lindje të vendit. /REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme