Ish-ministri i Jashtëm rus: Kina “kurrë” nuk do ta trajtojë Putinin si “të barabartë”

00:23 | 13 Mars 2022
Trina Galanxhi

Kina nuk do ta trajtojë kurrë presidentin rus Vladimir Putin si të barabartë dhe do të tregohet “e pamëshirshme” në çdo marrëveshje biznesi pasi sanksionet gjymtuese dhe një pushtim i zgjatur e kanë lënë Rusinë të pambrojtur, sipas një ish-diplomati rus.

“Putini mund të shkojë në Kinë,” tha ish-ministri i Jashtëm rus Andrei Kozyrev për Fox News Digital. “Ai shkon në Kinë sepse nuk është konkurrues në tregjet e tjera dhe i shet Kinës lëndët e para, por Kina nuk do ta marrë kurrë atë si një partner të barabartë apo edhe si aleat sepse nuk kanë nevojë për të”, transmeton portal arbresh.info

Rusia dhe Kina zhvilluan lidhje më të ngushta në prag të pushtimit të Ukrainës, duke nënshkruar një numër marrëveshjesh që potencialisht do t’i lejonin Moskës një derë të hapur për ta lehtësuar atë ekonomikisht.

Marrëveshjet përfshinin akses më të gjerë në grurin rus dhe një plan për të shitur 100 milionë tonë qymyr rus në Kinë.

Por Kozyrev, i cili shërbeu si ministri i parë i jashtëm i Rusisë në epokën post-sovjetike nga viti 1990 deri në 1996, beson se dinamika ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga fillimi i pushtimit të Rusisë në Ukrainë.

Sipas tij, Rusia tashmë është nën mëshirën e Kinës.

“Putin mendon se Kina do të shpërtojë Rusinë dhe kjo është absurd”, tha Kozyrev.

“Kina po e nxit atë të shkojë të grindet me Perëndimin sepse është në interesin e tyre … sepse nëse ai humbet tregjet perëndimore – madje edhe Japonia dhe shumë vende të tjera iu bashkuan sanksioneve – ai do të zvarritet drejt Kinës duke u kërkuar atyre të blejnë disa prej burimeve minerale”, shtoi ai.

“Kinezët janë biznesmenë të mirë dhe biznesmenë të pamëshirshëm … në një pozitë të dëshpëruar, ky është partneri i fundit me të cilin do të doja të merresha”, theksoi ai.

Kozyrev u ankua se Rusia nuk ka arritur të ndërtojë aftësi të konsiderueshme për të prodhuar mallra cilësore si kombet e tjera. Analiza e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tregon se eksportet ruse në masë të madhe përbëhen nga lëndë të para si metale natyrore, druri, qymyri dhe nafta.

“Rusia nuk mund të prodhojë makina të klasit të parë”, tha Kozyrev. “Shikoni Zvicrën, dhe ata kanë resorte fantastike të skive dhe prodhojnë të gjitha llojet e pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë dhe gjëra të tjera, ndërsa Rusinë në tregun botëror e gjen vetëm me armatim ose lëndë të parë”./foxnews/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme