Cristiano Ronaldo – Ylli i “Teatrit të Ëndërrave”

20:32 | 12 Mars 2022
Lorik Gerbeshi

Manchester United ka arritur të mposht Tottenham Hotspur 3-2 në kuadër të xhiros së 29-të të Premier League.

Rezultati u zhbllokua qysh në minutën e 12-të, kur Cristiano Ronaldo shënoi për 1-0.

Në minutën e 35-të, u akordua penallti për Spurs, pasi Alex Telles preku topin me dorë brenda zonës.

Përgjegjësinë e ekzekutimit të penalltisë e morri Harry Kane, ku u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke barazuar shifrat në 1-1.

Por, kundërpërgjigja erdhi menjëherë pas tre minutash, kur Cristiano shënoi golin e dytë personal dhe i dha epërsinë sërish “Djajvë të Kuq”.

Me këtë gol, portugezi u bë edhe golashënuesi më i mirë në histori të futbollit, duke kaluar legjendën Josef Bican me 806 gola.

Ashtu si edhe e para, edhe pjesa e dytë ishte po aq e nxehtë.

Harry Maguire i dha golin e barazimit mysfirëve në minutën e 72-të, kur shënoi në portën e tij.

Por, ylli i kësaj mbrëmje, Cristiano Ronaldo ishte sërish shpëtimtari i “Djajve të Kuq” duke shënuar golin e tretë të ndeshjes dhe duke kompletuar hat-trickun e tij në minutën e 81-të.

Deri në fund të ndeshjes nuk munguan as rastet, por as shifrat nuk ndryshuan, andaj edhe Man United arkëton tri pikë duke u renditur në vendin e katërt me 50 pikë.

Ndërsa Tottenham gjendet në vendin e shtatë me 45 pikë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme