NATO: Kontigjenti ukrainas ende është në Kosovë

08:00 | 12 Mars 2022
V. S.

Kontingjenti ukrainas që shërben në kuadër të KFOR-it vazhdon të qëndrojë në Kosovë, pavarësisht paralajmërimeve për tërheqje, shkruan portali arbresh.info.

Këtë i kanë konfirmuar portalit arbresh.info zyrtarë të NATO-së, duke kërkuar që për çdo koment në lidhje me rishpërndarjen e trupave ukrainase të kërkohet nga autoritetet ukrainase.

“Unë ju referoj tek autoritetet ukrainase për çdo koment mbi rishpërndarjen e trupave ukrainase nga KFOR-i. Për momentin, kontingjenti ukrainas prej 40 trupash vazhdon të shërbejë si pjesë e NATO-s dhe Misionit të KFOR-it i mandatuar nga OKB-ja. Fuqia aktuale e misionit tonë përfshin mbi 3700 trupa nga 28 vende kontribuese (përfshirë Aleatët e NATO-s dhe partnerët)”, thotë për portalin arbresh.info ky zyrtar i NATO-së.

Sipas këtij zyrtari, “Ukraina ka qenë një kontribuues i vlefshëm në misionin tonë paqeruajtës që nga themelimi i KFOR-it në vitin 1999.”

“Ne e mirëpresim kontributet e gjata të vendeve në përpjekjet tona të përditshme në mbështetje të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe për konsolidimin e stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi zyrtari i NATO-së.

Ukraina ka kërkuar të tërheqë personelin e mbetur të uniformuar që shërben me pesë operacione paqeruajtëse të OKB-së në Mali, Qipro, Abyei, Sudanin e Jugut dhe Kosovë. Këtu përfshihen 250 trupa, 36 oficerë shtabi dhe ekspertë në mision dhe 22 oficerë policie.

Stéphane Dujarric, Zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara pranoi se Ukraina ka kërkuar tërheqjen nga disa misione paqeruajtëse.

“Po, ne kemi… në fakt, sapo më dhanë diçka para se të dilnim. Dua të them, ne kishim përmendur synimin e tyre për t’u tërhequr nga Republika Demokratike e Kongos, nga MONUSCO [Misioni i Stabilizimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Republikën Demokratike të Kongos], që është rreth 250 trupa dhe 8 helikopterë MI‑8. Tani kemi marrë një kërkesë të mëtejshme nga Ukraina për të tërhequr personelin e mbetur të uniformuar që shërben me pesë operacione të tjera paqeruajtëse – Mali, Qipro, Abyei, Sudani i Jugut dhe Kosova… Kjo është për një total prej 308 personel nga Ukraina që ata kanë kërkuar të tërhiqen. Procesi i përmbushjes së kërkesës së tyre është në proces. Natyrisht, ne jemi në kontakt të ngushtë me Misionin e Përhershëm të Ukrainës këtu dhe me misionet përkatëse paqeruajtëse. Përsëri, siç e thamë, është e drejta e çdo shteti anëtar të tërhiqet dhe ne duhet të falënderojmë personelin ukrainas dhe përdorimin e pajisjeve të tyre për kontributin e tyre afatgjatë në operacionet e paqes, dhe padyshim, edhe vetë paqeruajtësit individualisht”, deklaroi Dujarric, shkruan arbresh.info.

Ukraina ka hyrë në ditën e 17 të pushtimit nga Rusia, dhe Kievi mbetet nën kontrollin e Ukrainës, në mesin e përpjekjeve për t’i zhvendosur njerëzit përmes ‘korridoreve’ të sigurta.

Një ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka disa “ndryshime pozitive” në bisedimet Rusi-Ukrainë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme