Presidenti i UEFA-s, Ceferin nuk dëshiron të flasë më për Agnellin

13:45 | 11 Mars 2022
Fjolla Bajraktari

Aleksander Ceferin këmbëngul se raporti mes UEFA-s dhe Juventusit do të jetë gjithmonë korrekt edhe pse ai nuk dëshiron të flasë më për Andrea Agnelli.

Agnelli ishte një nga arkitektët kryesorë të Superligës Evropiane, e cila u zbulua nga 12 klube elitare evropiane në prill të 2021, duke u rrëzuar brenda 48 orëve nga nisja e saj.

Juventusi, Real Madridi dhe Barcelona janë tre skuadrat e vetme që nuk e kanë njoftuar tërheqjen nga gara. Ata janë gjithashtu aktualisht jashtë ECA-s.

Por, cili është raporti mes UEFA-s, Juventusit dhe presidentit të tyre Andrea Agnelli?

“UEFA dhe Juventusi janë dy institucione dhe raporti do të jetë gjithmonë korrekt”, ka thënë fillimisht Ceferin për Il Corriere della Sera.

“Sa i përket personit që keni emëruar (Agnelli), nuk dua të them asnjë fjalë. Ai është e kaluara”, përfundoi i pari i UEFA-s.

Ndryshe, Ceferin dhe Agnelli janë në një ‘luftë’ të hapur së fundmi dhe e gjitha ka nisur nga ideja e Superligës Evropiane. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme